Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën miratoi nismën e deputetëve socialistë Taulant Balla dhe Erion Braçe për ndryshime në ligjin “Për sponsorizimet”, si dhe projektligjin “Për donacionet dhe sponsorizimet” të propozuar nga Këshilli i Ministrave. Gjatë shqyrtimit u zhvillua debat i ashpër midis kryetares së komisionit, Ina Zhupa, dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, mbi procedurat parlamentare dhe efektet financiare në buxhet.
Zhupa akuzoi Ballën dhe Braçen se kishin shkelur nenin 82 të Kushtetutës, duke mos evidentuar efektet financiare në nismën e depozituar më 28 tetor, dhe se kishin depozituar paraprakisht projektligjin për të rezervuar datën e shqyrtimit para se Qeveria të paraqiste nismën e saj më 13 nëntor. Ajo kërkoi tërheqjen e projektligjit të dy deputetëve dhe miratimin e projektligjit të qeverisë, duke argumentuar se nisma e socialistëve fsheh efekte financiare dhe se komisioni u favorizonte projektligjeve të mazhorancës ndërsa nismat e opozitës mbeten në pritje. Zhupa theksoi se nuk ishte paraqitur kërkesë për bashkimin e projektligjeve.
Balla mbrojti projektligjin e tij, duke thënë se ai ishte hartuar pas konsultimeve me ministrat dhe i referohej modelit hungarez. Sipas tij, nisma krijon një mekanizëm të ri financimi që u lejon bizneseve të destinojnë deri në 30% të tatimfitimit për mbështetje të sportit, artit dhe kulturës. Ai kërkoi që ministria të ketë autoritet për përcaktimin e pragjeve dhe prioriteteve të financimit dhe theksoi nevojën për t’i dhënë fund pagesave informale për sportistët.
Përplasja vijoi mbi çështjen procedurale të bashkimit të nismave ligjore; Balla argumentoi se Rregullorja i bashkon projektligjet me objekt të njëjtë, ndërsa Zhupa tha se nuk ishte kërkuar bashkimi. Debati u shoqërua me replika personale dhe ironi për qumështin, uljen e çmimeve dhe ngjyrat partiake; Balla akuzoi Zhupën se nuk dinte të drejtonte një komision, ndërsa Zhupa përsëriti akuzat për shkelje kushtetuese nga deputeti socialist.
