4 muaj pas denoncimit në JOQ, zbardhet skandali i Spitalit të Durrësit: 52-vjeçari u diskriminua rëndë dhe u braktis në port!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.11.2026, 16:49

Një burrë i sëmurë, i ulur në një trotuar pranë Portit të Peshkimit në Durrës, pa strehë, pa përkujdesje dhe i braktisur nga institucionet që kishin detyrimin ta mbronin. Ishin këto pamjet tronditëse që mbërritën në redaksinë e JOQ Albania më 28 korrik, duke nxjerrë në dritë atë që sot rezulton të jetë një rast i rëndë i diskriminimit institucional në sistemin shëndetësor shqiptar.

Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Artan Andoni, i cili ndërroi jetë më 31 gusht, pasi ishte rikthyer në spital në gjendje të rënduar shëndetësore.

Thuajse katër muaj pas denoncimit të parë të JOQ Albania, gjetjet e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi konfirmojnë një pjesë thelbësore të asaj që denoncuam në korrik dhe zbulojnë një sërë shkeljesh shqetësuese në mënyrën se si institucionet shtetërore e trajtuan 52-vjeçarin.

Me vendimin nr. 298, të datës 10 nëntor 2026, Komisioneri ka konstatuar diskriminim të rëndë, të shumëfishtë dhe ndërsektorial nga Spitali Rajonal Durrës, por edhe diskriminim nga vetë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Videoja e JOQ që denoncoi rastin

Më 28 korrik, JOQ Albania publikoi denoncimin e një qytetari, i cili kishte filmuar 52-vjeçarin në gjendje të rënduar fizike pranë Portit të Ri të Peshkimit në Durrës.

Qytetari tregonte se Andoni ishte transportuar deri në atë zonë me ambulancën e spitalit dhe ishte lënë aty, pavarësisht gjendjes së tij. Ai kishte njoftuar policinë dhe urgjencën, por edhe pas mbërritjes së tyre, pacienti nuk ishte rikthyer menjëherë në spital.

Ajo që në atë kohë ishte një denoncim qytetar, sot mbështetet nga gjetjet e një hetimi institucional.

Spitali e dinte se pacienti nuk kishte ku të shkonte

Nga hetimi rezulton se Andoni kishte kryer një ndërhyrje vaskulare në QSUT, përpara se të transferohej në Spitalin Rajonal Durrës për vijimin e trajtimit.

Strukturat spitalore ishin në dijeni të faktit se 52-vjeçari nuk dispononte një banesë të sigurt dhe nuk kishte mbështetjen e nevojshme familjare.

Madje, strukturat sociale të Bashkisë Durrës kishin vlerësuar se, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, pacienti duhej të vijonte qëndrimin në spital. Edhe një konsultë me mjekun psikiatër, e rekomanduar nga psikologia e pavijonit, nuk ishte realizuar.

Pavarësisht këtyre rrethanave, më 27 korrik u vendos nxjerrja e tij nga spitali, pa u garantuar paraprakisht strehimi, përkujdesja apo vazhdimësia e trajtimit mjekësor.

Ambulanca e transportoi fillimisht drejt banesës së të vëllait, i cili deklaroi se nuk mund ta mbante. Më pas, pacienti u dërgua në një barakë në zonën e Portit të Peshkimit.

Një ambulancë, që duhet të shërbente për shpëtimin e jetës së një pacienti, u përdor për ta transportuar atë drejt një vendi ku nuk i garantohej as kujdesi më elementar.

Urgjenca e la për herë të dytë, të nesërmen u rikthye me hemorragji

Por ajo që e bën edhe më të rëndë këtë histori është fakti se institucionet patën një mundësi të dytë për të ndërhyrë.

Mbrëmjen e 27 korrikut, pas një telefonate për ndihmë, një tjetër ekip i urgjencës u paraqit në vendin ku ndodhej Andoni. Sipas dokumentacionit të shqyrtuar gjatë hetimit, 52-vjeçari u vlerësua si klinikisht i shëndetshëm dhe u la sërish aty.

Vetëm një ditë më vonë, më 28 korrik, pacienti u transportua në spital me hemorragji. Gjendja e tij ishte rënduar, ndërsa më 29 korrik iu nënshtrua amputimit të këmbës së majtë mbi gju.

Pas më shumë se një muaji nga dita kur u nxor nga spitali dhe u la në port, Artan Andoni ndërroi jetë më 31 gusht.

Deklaratat e spitalit rrëzohen nga hetimi

Pas denoncimit dhe reagimit të opinionit publik, Spitali Rajonal Durrës pretendoi se pacienti ishte transportuar në destinacion dhe i ishte dorëzuar një familjari.

Por ky version nuk përputhet me provat e administruara nga Komisioneri. Hetimi ka evidentuar gjithashtu mangësi dhe mospërputhje në dokumentacionin spitalor, përfshirë oraret dhe destinacionin e transportit të pacientit.

Sikur të mos mjaftonte trajtimi që kishte marrë 52-vjeçari, në komunikimet publike të spitalit u zbuluan edhe të dhëna konfidenciale mbi gjendjen e tij shëndetësore, duke cenuar privatësinë dhe dinjitetin e pacientit.

Në vend që publiku të merrte përgjigje të sakta mbi rrethanat e ngjarjes, u ekspozuan të dhënat personale shëndetësore të një njeriu që ndodhej në një situatë tejet të cenueshme.

Por nuk kanë munguar as masat disiplinore. Sipas raportimeve mbi dokumentacionin e çështjes, Spitali Rajonal Durrës ka marrë masa ndaj disa punonjësve të përfshirë në rast, mes tyre mjeku kurues, shefi i Shërbimit të Kirurgjisë, kryeinfermierja dhe infermieri shoqërues.

Masat lidhen me mangësitë në vendimmarrjen klinike, mbikëqyrjen e daljes nga spitali, koordinimin dhe dokumentimin e transportit, si dhe me lënien e pacientit në një zonë publike pa iu garantuar vijimësia e kujdesit.

Përgjegjësia shkon deri te Ministria e Shëndetësisë

Gjetjet e Komisionerit tregojnë se rasti i Artan Andonit nuk përfaqëson vetëm dështimin e një spitali, por edhe problemet e një sistemi të tërë që nuk arrin të mbrojë qytetarët më të pambrojtur.

Ministria e Shëndetësisë është konstatuar gjithashtu përgjegjëse për diskriminim, për shkak të mungesës së shërbimeve të përshtatshme sociale, rezidenciale dhe rehabilituese.

Komisioneri i ka lënë Spitalit Rajonal Durrës një afat prej tre muajsh për të rishikuar procedurat e daljes së pacientëve që nuk kanë strehë, mbështetje familjare apo mundësi për t'u kujdesur për veten.

Ndërkohë, Ministrisë së Shëndetësisë i është lënë një afat prej gjashtë muajsh për marrjen e masave që garantojnë koordinimin ndërmjet institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme sociale.

Por për Artan Andonin, këto masa vijnë tepër vonë.

Kush do të mbajë përgjegjësi për atë që ndodhi?

Që më 30 korrik, Ministria e Shëndetësisë kishte urdhëruar nisjen e një hetimi të thelluar administrativ për këtë ngjarje. Sot, pas konstatimeve të Komisionerit dhe raportimeve mbi masat disiplinore, publiku ka të drejtë të kërkojë përgjigje konkrete.

Kush e autorizoi nxjerrjen e Andonit nga spitali? Kush vendosi që një barakë në port ishte destinacioni i përshtatshëm për një pacient që kishte nevojë për përkujdesje? Mbi çfarë kriteresh u vlerësua ai si klinikisht i shëndetshëm, kur të nesërmen u rikthye me hemorragji? Çfarë rezultatesh pati hetimi i urdhëruar nga Ministria dhe cilat ishin masat konkrete të marra ndaj personave të përfshirë?

Mbi të gjitha, a do të hetojë Prokuroria e Durrësit nëse veprimet apo mosveprimet e personelit dhe strukturave përgjegjëse kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientit dhe në përfundimin tragjik të kësaj historie?

Vendimi i Komisionerit konstaton diskriminimin institucional, por nuk përcakton përgjegjësinë penale apo lidhjen shkakësore me vdekjen e 52-vjeçarit. Këto janë çështje që kërkojnë një hetim të plotë.

Artan Andoni nuk kishte nevojë për mëshirë. Ai kishte nevojë për shërbimet që shteti kishte detyrimin t'ia garantonte, njësoj si çdo qytetari tjetër.

Sot, denoncimi i JOQ Albania ngre një pyetje që shkon përtej mureve të Spitalit të Durrësit: Sa vlen jeta e një qytetari në Shqipëri kur ai nuk ka para, nuk ka strehë dhe nuk ka askënd që të ngrejë zërin për të?

Në rastin e Artan Andonit, u desh kamera e një qytetari për të dokumentuar atë që institucionet nuk arritën ta parandalonin.

Tani duhen përgjegjësi, jo thjesht protokolle të reja.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit