Vrasja e Ardian Nikulajt në Gjykatën e Apelit, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për portugezin Ruben Saraiva, vendimi më 2 dhjetor

Aktualitet | 1 minutë më parë

Prokuroria ka kërkuar lënien në fuqi të dënimit me burgim të përjetshëm për shtetasin portugez Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutor i biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur më 19 prill 2023 në Shëngjin. Sipas gazetarit të RTSH-së, Elvis Hila, Gjatë shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, organi i akuzës kërkoi që vendimi i dhënë më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë të mbetet i pandryshuar.

Sipas përfaqësuesve të Prokurorisë, “provat e administruara gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor mbështesin akuzën ndaj Saraivës”, i cili dyshohet se ishte personi që qëlloi me armë zjarri biznesmenin Nikulaj brenda ambienteve të hotelit të tij në Shëngjin. Për këtë vepër, Shkalla e Parë në Lezhë e shpalli fajtor shtetasin portugez duke e dënuar me burgim të përjetshëm, vendim i cili u ankimua nga pala mbrojtëse.

Nga ana tjetër, avokatët e Ruben Saraivës kanë kërkuar në Apel ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, duke kundërshtuar vlerësimin e provave dhe mënyrën se si gjykata ka arritur në përfundimin për fajësinë e klientit të tyre. Mbrojtja ka kërkuar një rivlerësim të materialeve dhe rrethanave të dosjes, ndërsa akuza këmbëngul se masa e dënimit është e drejtë dhe proporcionale.

Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, Gjykata e Apelit pritet të shpallë vendimin përfundimtar më 2 dhjetor 2026, datë kur do t’i jepet përgjigje përfundimtare ankimit të paraqitur nga mbrojtja.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj tronditi opinionin publik në prill të vitit 2023. Sipas hetimeve të bëra publike, ekzekutimi lidhet me një konflikt të hershëm gjakmarrjeje mes familjes Nikulaj dhe fisit Lekstakaj, i cili daton që prej vitit 1997. Përplasjet e përgjakshme ndër vite mes dy familjeve kanë shkaktuar viktima të shumta, duke e shndërruar këtë histori në një prej konflikteve më të gjata dhe tragjike të gjakmarrjes në zonën e Lezhës.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme