E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
U zhduk për dy javë, 13-vjeçarja nga Shkodra dyshohet se u abuzua nga disa persona
Lajme

U zhduk për dy javë, 13-vjeçarja nga Shkodra dyshohet se u abuzua nga disa persona

Një ngjarje e rëndë po hetohet nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria, pas zhdukjes për rreth dy javë të një 13-vjeçareje me origjinë nga Shkodra, e cila u gjet në Tiranë. Hetimet dhe ekzaminimet mjekësore kanë ngritur dyshime se e mitura është abuzuar seksualisht nga disa persona të rritur në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Vajza, e lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër shqiptarë, jetonte me nënën në Shkodër, pasi familja ishte kthyer prej disa vitesh nga Amerika. Pas raportimit të largimit të saj, strukturat policore në Shkodër dhe në qarqe të tjera nisën kërkimet, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës amerikane.

Pas disa ditësh kërkimesh, 13-vjeçarja u lokalizua në Tiranë, në gjendje të rënduar psikologjike. Nga të dhënat e mbledhura deri më tani, dyshohet se gjatë periudhës së zhdukjes ajo ka qenë në disa qytete, ku është përballur me abuzime seksuale nga persona të ndryshëm.

Sipas hetimeve, gjithçka nisi rreth dy javë më parë, kur nëna e kishte përcjellë vajzën në shkollën private ku ajo studionte prej afro katër vitesh. Megjithatë, e mitura nuk hyri në mësim, por u largua nga ambientet e shkollës dhe mori autobusin në drejtim të Tiranës.

Lëvizjet e saj janë gjurmuar në disa qytete të vendit. Fillimisht në Fier, më pas në Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Burrel, përpara se të rikthehej në Tiranë.

Grupi hetimor dyshon se gjatë kësaj periudhe ajo ka pasur kontakte me persona të ndryshëm, disa prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim. Deri më tani, të paktën katër persona janë vënë në pranga, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë të dyshuarve, që sipas të dhënave mund të jenë shtatë ose më shumë.

Një tjetër pistë që po shqyrtohet lidhet me dyshimet se disa prej personave të përfshirë i kanë dhënë para të miturës. Policia po verifikon gjithashtu informacionet për bizhuteri ari që dyshohet se janë marrë nga banesa dhe shitur prej saj, me qëllim sigurimin e parave për lëvizjet dhe qëndrimin në qytetet e ndryshme.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e largimit të vajzës, kontaktet që ajo ka pasur gjatë kësaj kohe dhe mënyrën se si persona të rritur kanë përfituar nga cenueshmëria e saj.

Aktualisht, 13-vjeçarja ndodhet në një qendër sociale në Tiranë, ku po merr kujdesin e nevojshëm nga psikologë, mjekë dhe punonjës socialë. Rasti po ndiqet nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe strukturat përkatëse të Ambasadës amerikane.

Hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar vijojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.