“Shëndeti është kthyer në produkt”, mjekja ngre alarmin: Vitaminat po merren pa kriter dhe kur s’kanë nevoja, pasojat që vijnë në shëndet
Marrja e vitaminës D, kolagjenit apo edhe magnezit është kthyer në rutinë të përditshme për shumë persona.
Postimet në rrjetet sociale, sugjerimet mes miqve apo reklamat e ndryshme janë ndër faktorët kryesor që po ndikojnë në marrjen e shumtë të vitaminave, të cilat mund të jenë edhe të panevojshme për shumë persona.
Mjekja endokrinologe Mirjeta Guni në një intervistë në emisionin “Takohemi n’Vizion” u shpreh se vitamina D nuk duhet të merret nga personat nën 75 vjeç, teksa shtoi se përjashtim bëjnë vetëm rastet kur identifikohen nga mjeku.
“Është bërë një komercializëm nga mjekë dhe mediat sociale. Përmbledhja e studimeve sugjeron që matja e vitaminës D mos bëhet rutinë. Nuk sugjeriohet matja e vitaminës D nën 75 vjeç nëse nuk ka simptoma të dukshme që përcaktohen nga mjeku (dhimbje kockore, dhimbje muskulare, dhimbje e shpatullave ose kofshëve ose dhimbje në ecje të gjatë). Pacientët që kanë ccrregullim të kalciumit nuk do të thotë se do kanë mungesë të vitaminës D kur ka lodhje, rënie flokës. Nuk ka ende një vlerë se sa është maksimalja e vitaminës D. Pacientët me osteoporozë që e kanë të konfirmuar, sëmundje me zorrën apo sëmundje të tjera nuk duhet të bëjnë matje të vitaminës D. Nevoja D është 600 unt në ditë që të merren me ushqim apo ekspozim në diellë. Ata që nuk e marrin përmes ushqimit apo diellit, të marrin suplemente me recet të mjekut”, tha mjekja.
Guni shtoi se mbingarkesa e vitaminave mund të çojë edhe në toksicitet.
“Nga mbingarkesa e vitaminave, kalon në toksicitet që ka simptoma të ndryshme. Kombinimi i shumë vitaminave ose mineraleve njëkohësisht e shton toksicitetin. Mund të ketë edhe suplemente që kanë efekte anësore, edhe pse mund të konsiderohet natyrale”, tha ajo.
Mjekja endokrinologe ngriti alarmin, duke thënë se shëndeti sot për fat të keq janë kthyer në produkt komercial.
“Shëndeti është kthyer në produkt komercial dhe është për të ardhur keq. Me ccdo gjë mund të bësh produkt komercial, por jo me shëndetin sepse mund të ketë pasoja të rënda. Ende nuk ka një suplement që mund të bëj çudira dhe afatgjata. Jam dakord për hekurin dhe B12 kur ka defiçit, por sugjerimi për tu marrë vitamina D e kolagjeni po jepen pa bazë mjekësore.
Berberina që merret shpesh ka një përmirësim të glukozës dhe likideve modest, por nuk zëvendëson preparatet që pacientët kanë nevojë”, tha mjekja.




