Detaje të reja tregojnë se një 13-vjeçare amerikano-shqiptare është abuzuar seksualisht nga të rritur në disa qytete të Shqipërisë. Ngjarja u bë publike pasi vajza ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer; denoncimin në polici e bëri nëna, kurse babai i saj ndodhet në burg. Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u gjet në Tiranë në një gjendje të rënduar psikologjike.
Sipas autoriteteve, pas ekzaminimeve mjekësore, dëshmisë së vajzës dhe provave të mbledhura nga Policia e Shtetit, rezulton se ajo është abuzuar nga persona të ndryshëm të rritur në disa qytete. Hetimet kanë dokumentuar udhëtimin e saj në Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Burrel dhe më pas rikthimin në Tiranë. Lëvizjet e saj janë verifikuar edhe përmes kamerave të sigurisë në këto qytete.
Deri më tani janë arrestuar disa shtetas, ndërsa të tjerë janë në kërkim dhe aksioni nuk është përmbyllur ende. Në disa raste hetuesit dyshojnë se abuzuesit i kanë dhënë para vajzës kundrejt marrëdhënieve intime. Po ashtu hetimet tregojnë se 13-vjeçarja ka marrë dhe shitur bizhuteri ari nga shtëpia; me ato para dhe me shumat që dyshohet se ka përfituar më vonë nga disa prej personave të arrestuar e në kërkim, ajo ka lëvizur dhe jetuar në qytetet ku ka shkuar.
Sipas verifikimeve të grupit hetimor, vajza ka udhëtuar e vetme, herë me autobus dhe herë me taksi, dhe hetimet aktuale nuk tregojnë se lëvizjet e saj kanë qenë të detyruara nga ndonjë person për ta shfrytëzuar. E mitura për momentin ndodhet në një qendër sociale institucionale në Tiranë, nën kujdesin e psikologëve, mjekëve dhe punonjësve socialë.
Rasti po ndiqet nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria, ndërsa në hetime është përfshirë edhe Ambasada Amerikane. Sipas burimeve, vajza kishte ikur edhe më parë nga shtëpia për 2–3 orë, por këtë herë qëndrimi dhe veprimet ishin më të gjata dhe çuan në aktet e abuzimit të zbuluara nga autoritetet.
