Nuk e dinte se ishte shtatzënë/ 28-vjeçarja hyri në vaskë për të qetësuar dhimbjet menstruale, 10 minuta më vonë solli në jetë një vajzë Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni, do të përballen sërish me drejtësinë franceze.
Prokurorët në Paris kanë vendosur që çifti të dërgohet në gjyq, në kuadër të një hetimi për manipulim dëshmitarësh dhe pjesëmarrje në një komplot kriminal që synonte kryerjen e mashtrimit të organizuar.
Çështja, e njohur në Francë si “Sauver Sarko”, lidhet me rrethanat në të cilat ndërmjetësi franko-libanez Ziad Takieddine tërhoqi në nëntor të vitit 2020 akuzat kundër ish-presidentit francez. Hetuesit dyshojnë se ky ndryshim i qëndrimit të tij mund të jetë bërë në këmbim të parave.
Takieddine, i cili ndërroi jetë më vonë, ishte një nga dëshmitarët kryesorë në çështjen që lidhet me dyshimet për financimin e fushatës presidenciale të Sarkozy-t në vitin 2007 nga ish-diktatori libian Muammar Gaddafi.
Në atë kohë, ndërmjetësi ndodhej në Bejrut, ku ishte larguar pasi ishte dënuar në një çështje tjetër. Prej andej, ai dha një intervistë për revistën “Paris Match” dhe televizionin BFMTV, ku tërhoqi deklaratat e mëparshme kundër Sarkozy-t. Takieddine pretendoi se hetuesi Serge Tournier kishte shtrembëruar fjalët e tij gjatë marrjes në pyetje.
Pas publikimit të intervistës, Sarkozy deklaroi se “e vërteta më në fund po zbulohet”. Megjithatë, hetimet e nisura në vitin 2021 nga autoritetet franceze kundër korrupsionit dhe krimeve financiare ngritën dyshime se deklaratat e Takieddine nuk ishin të sinqerta dhe mund të ishin pjesë e një përpjekjeje për të ndikuar në procesin gjyqësor.
11 të pandehur dërgohen në gjyq
Në total, 11 persona do të përballen me drejtësinë në Gjykatën Penale të Parisit. Sipas kalendarit aktual, procesi gjyqësor pritet të zhvillohet nga 3 nëntori deri më 2 dhjetor 2027.
Nicolas Sarkozy dhe Carla Bruni akuzohen për “komplot për kryerjen e mashtrimit nga një grup i organizuar kriminal” dhe “mbulim të ryshfetit ndaj një dëshmitari”.
Mes të pandehurve është edhe Michelle Marchand, e njohur si “Mimi Marchand”. Ajo akuzohet për manipulim dëshmitarësh, pjesëmarrje në komplotin kriminal për mashtrim, si dhe për përgatitjen e ryshfetit ndaj zyrtarëve të huaj të drejtësisë.
Avokatët e Sarkozy-t, Bruni-t dhe Marchand nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të mediave për koment.
Ky proces i ri gjyqësor vjen vetëm pak ditë përpara se Gjykata e Apelit në Francë të shpallë vendimin për dhjetë të pandehur, mes tyre edhe Nicolas Sarkozy-n, në çështjen që lidhet me financimin e dyshuar të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007 nga regjimi i Muammar Gaddafit në Libi.
Top Channel