Problemet financiare te Sivasspori po sjellin pasoja konkrete, ndërsa situata e sulmuesit shqiptar Rey Manaj me klubin turk duket se po shkon drejt një pike kritike.

Sulmuesi shqiptar është larguar sot nga qyteti i Sivasit, pasi klubi nuk ka përmbushur detyrimin financiar ndaj tij. Sipas raportimeve të mediave turke, pagesa që duhej të kryhej gjatë ditës së djeshme nuk është realizuar, duke shtuar edhe më shumë tensionin mes palëve.

Manaj është larguar fillimisht me automjet drejt Kayserit, ndërsa më pas ka vazhduar udhëtimin jashtë Turqisë përmes aeroportit të këtij qyteti.

Megjithatë, zhvillimi më i rëndësishëm lidhet me të ardhmen e tij kontraktuale. Sipas informacioneve të publikuara në Turqi, moskryerja e pagesës i jep futbollistit të drejtën për të ndërprerë në mënyrë të njëanshme kontratën me Sivassporin, nëse kushtet përkatëse ligjore dhe kontraktuale plotësohen.

Kjo situatë mund të çojë në një ndarje mes sulmuesit shqiptar dhe klubit turk, në një moment kur Sivasspori po përballet me vështirësi të shumta financiare dhe sportive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb