Komisioni i Infrastrukturës miraton huanë franceze për kanalizimet e Durrësit dhe lehtësimin e lidhjeve të ujit e dritave
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, nën drejtimin e kryetares Anila Denaj, zhvilloi mbledhjen e radhës ku miratoi kalendarin e punimeve për periudhën 16 nëntor – 4 dhjetor 2026, si dhe i dha dritën jeshile dy projektligjeve të rëndësishme që prekin infrastrukturën mjedisore në Durrës dhe lidhjet e qytetarëve me rrjetin e ujit dhe energjisë elektrike.
Lidhja me ujë dhe energji elektrike pa certifikatë përdorimi
Në rendin e ditës u shqyrtua projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, ‘Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit’, të ndryshuar”, një nismë e propozuar nga deputetja Besa Spaho. Gjatë prezantimit të nismës, deputetja Spaho sqaroi pengesat me të cilat përballen qytetarët “pas kushtit të vendosur në tetor të vitit 2025, sipas të cilit për të lidhur një njësi individuale me rrjetin e ujit ose të energjisë, certifikata e përdorimit duhet të paraqitet nga zhvilluesi ose zbatuesi i punimeve”.
Ndryshimet e reja ligjore synojnë zgjidhjen e këtij ngërçi administrativ, duke u hapur rrugë lidhjeve individuale me furnizimin e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike edhe pa certifikatë përdorimi për dy kategori banesash dhe njësish ekzistuese. Pas diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Huaja me Agjencinë Franceze të Zhvillimit për Durrësin
Më herët, anëtarët e komisionit shqyrtuan projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për instrument huaje, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit (huadhënësi), për projektin ‘Përmirësimi i ITUN Durrës dhe rehabilitimi i sistemit të kanalizimeve të ujërave të përdorura në zonën historike të qytetit të Durrësit’”.
Në mbledhje mori pjesë zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, së bashku me stafin teknik të ministrisë. Marrëveshja parashikon financimin për përmirësimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura (ITUN) në Durrës, si dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve në zonën historike të qytetit bregdetar. Edhe ky projektligj mori miratimin e komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




