A pritet rënie e çmimit të naftës në Kosovë?

Çmimet e derivateve të naftës në Kosovë kanë shënuar rënie prej tre centësh gjatë kësaj jave, ndërsa deri në fund të saj pritet një ulje e mundshme edhe për dy deri në tre centë për litër. Kjo do të varet nga lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Kështu ka deklaruar për KosovaPress kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Zekim Istogu, sipas të cilit një litër naftë aktualisht kushton nga 1.70 deri në 1.72 euro, ndërsa benzina nga 1.34 deri në 1.36 euro.
Istogu ka bërë të ditur se rënia e çmimeve mund të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme, por ka theksuar se një gjë e tillë nuk është e sigurt, pasi çmimet në tregun vendor ndikohen drejtpërdrejt nga zhvillimet në tregun ndërkombëtar.
“Çmimi i naftës sillet nga 1.70 deri në 1.72 euro për litër, ndërsa ai i benzinës nga 1.34 deri në 1.36 euro. Gjatë kësaj jave çmimet kanë rënë për tre centë. Pritet që çmimet të bien sërish, pasi gjithçka varet nga çmimet që zhvillohen në tregun ndërkombëtar. Pres që edhe dy deri në tre centë të ketë rënie të çmimeve deri në fund të javës, por kjo nuk është e sigurt”, ka deklaruar Istogu.
Nafta në tregjet ndërkombëtare në nivelin më të ulët në tre muaj
Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare çmimet e naftës kanë rënë në nivelin më të ulët në tre muaj, në një kohë kur furnizimi global është rritur dhe tregjet kanë shtuar pritshmëritë për tepricë të ofertës.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, gjatë tregtimit të paradites së 24 nëntorit, nafta e papërpunuar Brent shënoi rënie prej 0.8 për qind, duke u tregtuar me 88.62 dollarë për fuçi. Ky ishte niveli më i ulët që nga 27 gushti.
Edhe nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) pësoi rënie prej 0.8 për qind, duke arritur në 79.53 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga 10 gushti.
Rënia në tregjet ndërkombëtare vjen në një periudhë të rritjes së furnizimit global dhe pritshmërive për tejkalim të ofertës ndaj kërkesës.
Ndërkaq, në Kosovë çmimet e derivateve kishin arritur deri në 1.91 euro për litër, pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili nisi më 28 shkurt.
Lëvizjet e fundit në tregjet ndërkombëtare mund të ndikojnë në çmimet në tregun vendor, ndërsa mbetet të shihet nëse parashikimi i Shoqatës së Naftëtarëve për një ulje të mëtejme do të realizohet deri në fund të javës./Telegrafi

































