Mjeku Ermal Pashaj, i ftuar në një intervistë për News24, ka deklaruar se Partia Socialiste është kthyer sot në një parti totalitare.

Ai komentoi zhvillimet e fundit në kampin socialist, përjashtimin e Elisa Spiropalit, si dhe përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë intervistës, Pashaj u shpreh se është për të ardhur keq që reagimet brenda Partisë Socialiste vijnë vetëm kur individët ndihen personalisht të kërcënuar. Ai përmendi edhe rastin e zonjës Koçeku, duke theksuar se heshtja përballë problematikave që prekin shoqërinë ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm.

Sipas tij, qëndrimi i heshtur apo reagimet e vonuara nuk i shërbejnë kauzave më të mëdha të shoqërisë, pasi Shqipëria është më e rëndësishme se çdo parti politike.

Ai komentoi gjithashtu ndikimin e protestave në rritjen e vigjilencës qytetare, duke theksuar se ato kanë nxitur njerëzit të reflektojnë mbi mënyrën se si ushtrohet politika në vend.

Në përfundim, Pashaj u bëri thirrje partive opozitare që ta shohin protestën si një aleate dhe jo si një lëvizje konkurruese, duke theksuar se ndryshimi duhet të vijë përmes ndërgjegjësimit qytetar.

“Është për ta ardhur keq, ka edhe një element tjetër është zonja Koçeku që ishte disa kohë më parë. Por ajo që më vjen keq, është se e kemi pasur në shoqëri dhe është mishëruar. Janë këto momentet e mosreagimit, kur problematika është në shoqëri. Sepse qëndrimi i heshtur apo pseudo-opozitarist, të kohës kur duhet të ngrihej zëri , sepse kauza nuk është për të ngritur një parti të re, por për Shqipërinë që është më e madhe se partitë. Por në momentin që ndihesh i kërcënuar nga nepotizmi që e kemi përmendur në protestës, dhe që vjen reagimi që bën dhe Veliaj, atëherë gjërat duhet të ishin bërë më parë. Kjo tani edhe me Spiropalin, mendoj që është një luftë individuale. Sepse reagimi vjen kur kërcënimi bëhet personal”, tha ai, duke shtuar se “Protesta ka zgjuar vigjilencën e popullit për të parë ato që janë politikbërjen që duhet ta prekin. Partitë opozitare mund ta bëjnë protestën aleate. Zgjidhjet do të dalin kur njerëzit ta kuptojnë që kjo lëvizje, ky moment në Shqipëri është historik. Pra ne duhet të eliminojmë këtë model autokratik”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb