Kanë kaluar pothuajse katër muaj nga fillimi i sezonit futbollistik në Evropë, por 13 skuadra ende nuk kanë arritur të regjistrojnë asnjë fitore në kampionatet e tyre vendore.

Në këtë listë gjenden edhe klube që garojnë në pesë ligat më të forta evropiane, si Malaga në Spanjë dhe Le Havre në Francë, por edhe skuadra nga kampionate të ndryshme, të cilat po kalojnë një sezon jashtëzakonisht të vështirë.


Sipas të dhënave të Flashscore dhe raportimeve të mediave evropiane, Malaga është në fund të tabelës në La Liga, me vetëm pesë pikë pas 12 xhirove. Skuadra spanjolle, e cila është rikthyer në elitën e futbollit të vendit, ende nuk ka arritur të festojë një fitore këtë edicion.

Situatë edhe më e vështirë është ajo e Le Havre në Ligue 1. Francezët kanë regjistruar dy barazime dhe tetë humbje në dhjetë ndeshje, duke grumbulluar vetëm dy pikë. Sipas mediave italiane, Le Havre është i vetmi klub nga pesë kampionatet kryesore evropiane që nuk ka fituar në asnjë garë këtë sezon.

Edhe në Portugali, Estoril po përjeton një periudhë të vështirë. Skuadra ndodhet në fund të tabelës me vetëm dy pikë nga dhjetë ndeshje, ndërsa në xhiron e fundit pësoi humbje të thellë nga Porto.

Sa i përket Kosovës, Vushtrria është e fundit me 3 pikë, por ka një fitore, atë ndaj Gjilanit, me rezultat 1-0.

Ndryshimi i trajnerit nuk e ndihmoi Willem II

Një tjetër skuadër që po kalon krizë është Willem II në Holandë. Pas nëntë xhirove pa fitore, klubi vendosi ta shkarkojë trajnerin John Stegeman, por ndryshimi në stol nuk solli efektin e dëshiruar.

Willem II fillimisht barazoi me PEC Zwolle, ndërsa në fundjavë pësoi humbje 2-1 nga Twente. Pas 13 ndeshjeve, skuadra ka vetëm tri pikë dhe vazhdon të mbetet pa fitore. Humbjen më të thellë e pësoi në udhëtim te PSV, me rezultat 7-0.

Në Republikën Çeke, Zlín është skuadra e vetme në elitë që ende nuk ka fituar. Pas 15 xhirove ka tri barazime dhe 12 humbje, ndërsa pikët e para i kishte siguruar vetëm në javën e nëntë, duke vendosur një rekord negativ në kampionat, sipas mediave vendase.

Edhe Volos në Greqi është pjesë e kësaj liste, me tri barazime dhe shtatë humbje pas dhjetë ndeshjeve.

Swift Hesperange me bilanc katastrofal

Gjendja më e rëndë është te Swift Hesperange në Luksemburg. Ish-kampioni i vendit, që kishte fituar titullin në vitin 2023, e nisi sezonin me 12 pikë të zbritura për shkak të problemeve financiare, borxheve ndaj futbollistëve dhe detyrimeve të papaguara tatimore.

Përveç problemeve jashtë fushës, rezultatet sportive janë edhe më shqetësuese. Swift Hesperange ka humbur të gjitha 12 ndeshjet e zhvilluara, me një gol-diferencë prej 2:44. Për shkak të dënimit dhe rezultateve negative, skuadra aktualisht ka minus 12 pikë në tabelë.

Në Azerbajxhan, Araz-Naxçıvan është në fund të klasifikimit me katër pikë pas 12 xhirove, ndërsa në Maltë, Gżira United po kalon një sezon të dobët, me shtatë humbje deri në fillim të nëntorit.

Lista plotësohet nga Carroi në Andorrë, Holywell Town në Uells, Lynx në Gjibraltar dhe Faetano në San Marino.

13 skuadrat që ende nuk kanë fituar këtë sezon:

  • Holywell Town (Uells)
  • Zlín (Republika Çeke)
  • Swift Hesperange (Luksemburg)
  • Willem II (Holandë)
  • Malaga (Spanjë)
  • Gżira United (Maltë)
  • Araz-Naxçıvan (Azerbajxhan)
  • Le Havre (Francë)
  • Estoril (Portugali)
  • Volos (Greqi)
  • Lynx (Gjibraltar)
  • Carroi (Andorrë)
  • Faetano (San Marino)

Këto skuadra po përjetojnë një fillim sezoni shumë të vështirë, ndërsa për disa prej tyre objektivi kryesor tashmë është largimi nga fundi i tabelës dhe sigurimi i mbijetesës. /Telegrafi/