Gazetari Gentian Gaba, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, komentoi zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, përplasjet mes Edi Ramës dhe Elisa Spiropalit, si dhe qëndrimet e kësaj të fundit për çështjen e Belinda Ballukut.
Gaba e cilësoi sjelljen e kryeministrit ndaj Spiropalit si një akt dobësie, duke argumentuar se Rama po përballet me humbjen e besimit edhe brenda radhëve të tij politike.
Sipas tij, rasti i Spiropalit lidhet edhe me episodin në Fier, ku Rama mori përsipër autorësinë e aktit të largimit të saj dhe, për këtë arsye, minimalisht duhet të ishte pyetur për çështjen.
Ai solli në vëmendje edhe mesazhet kontradiktore të Ramës ndaj deputetëve socialistë, duke kujtuar se në Asamblenë e PS-së, me dyer të mbyllura, kryeministri u ka përcjellë mesazhin se pa të janë ‘një zero e madhe’.
Sipas Gabës, dy abstenimet dhe dy mungesat në votimet e fundit janë tregues të një grupi që po konsolidohet brenda Partisë Socialiste dhe që nuk e sheh më Edi Ramën si zgjidhje, por si problem.
‘Në mënyrë të drejtpërdrejtë, rasti i Elisës ishte i tillë: Edi Rama mori përsipër sikterisjen e saj në Fier. Kryeministri mori përsipër autorësinë e atij akti, kështu që, minimalisht, duhet të ishte pyetur për këtë çështje.
Por unë këtë zhvillim e shoh edhe në vijim të asaj që po ndodh brenda Partisë Socialiste, si një akt dobësie. Ka një vetëdijesim se kush është tashmë Nesti Angoni. Erion Veliaj e zbuloi, ndërsa tani po e zbulon edhe Elisa Spiropali, ashtu siç është shprehur edhe për SPAK-un.
Njëkohësisht, zoti Rama, me arrogancën dhe agresivitetin e tij, po tregon dobësi. Në momentin që deputetët po i rrëshqasin nga duart, pjesa tjetër mund të jenë thjesht kartona, pa identitet politik. Në thelb, kur fillon të godasësh edhe personazhe që i ke krijuar vetë, që i ke rritur vetë politikisht, kjo do të thotë se nuk të besojnë më as të tutë. Dhe nëse nuk të besojnë më as njerëzit e tu, imagjinoni sa mund të të besojnë shqiptarët.
Kemi të bëjmë me një kryeministër që, pavarësisht se në Asamblenë e Partisë Socialiste, me dyer të mbyllura, u tha deputetëve: ‘Jam krenar për ju’, në të njëjtën kohë u ka përcjellë mesazhin se pa të janë një zero e madhe. Prandaj, atë që thotë Rama duhet ta ndajmë qartë nga ajo që mendon dhe bën në të vërtetë. Fjalët dhe veprimet e tij nuk përputhen më.
Ai ndihet i rrezikuar, sepse Elisa Spiropali, pavarësisht se ne mund të jemi cinikë dhe t'i kujtojmë edhe çështjen e Skënderbeut, është duke bërë diçka që i shërben interesit publik. Ne nuk kemi qenë dashamirës të saj, por pyetja është: çfarë po ndodh tani? Më në fund, debati publik po orientohet drejt plagës së vërtetë të një partie që është bunkerizuar rreth një grupi të strukturuar kriminal, që kundërshton drejtësinë dhe vjedh Shqipërinë.
Këto plasaritje, që mund të duken të vogla, kanë një rëndësi të veçantë për një person që e ka të lidhur fatin e tij personal me pushtetin. Rama është i vetëdijshëm për atë që ka bërë gjatë 13 viteve në drejtimin e Shqipërisë dhe e di se nuk mund të shkojë thjesht në shtëpi pasi të lërë mandatin. Pikërisht për këtë arsye është kaq agresiv dhe i dëshpëruar për të shantazhuar njerëzit e tij.
Mesazhi nuk ishte për ne. Përjashtimi i Spiropalit ishte një mesazh për ata që janë brenda Partisë Socialiste, për të vetët. Sidomos dy abstenimet dhe dy mungesat, të cilat janë po aq të rëndësishme sa abstenimet, flasin për një grup që tashmë është konsoliduar brenda PS-së dhe që nuk e sheh më Ramën si zgjidhje, por si problem.
Ndryshe nga shumë deputetë të tjerë të PS-së, të cilët nuk e kanë pasur mundësinë të trokasin në kancelaritë evropiane me mandatin e ministres së Jashtme, Spiropali ka një profil që bën lajm. Ajo u përcjell evropianëve një version të Shqipërisë që ne kemi luftuar për një kohë të gjatë për ta bërë të njohur.
Kur zonja Spiropali shkon në Berlin dhe deklaron se mbrojtja që Edi Rama po i bën mandatit të Belinda Ballukut cenon interesin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, ky është një mesazh që mbërrin me shumë më pak filtra sesa ato që mund të përcillen nga opozita. Dhe kjo është diçka e shkëlqyer.’, u shpreh Gentian Gaba në SYRI TV.
© SYRI.net
‘Rama po krijon shtet policor’, Burimi: Regjistri i protestuesve, rrezik të ndalohen edhe në aeroporte