Pritjes po i vjen fundi. Të shtunën e 28 nëntorit në Duseldorf kampioni i Shqipërisë në peshat e rënda në boks Nelson Hysa do të duelojë për historinë. ‘Gjigandi’ do të ngjitet në ring si shqiptari i parë i cili do luftojë për një nga titujt më të rëndësishëm në historinë e këtij sporti, WBC. Dhe përballë do të jetë as më pak e as më shumë se Agit Kabayel, mbajtësi i këtij titulli, i cili ashtu si Nelson Hysa, nuk ka asnjë humbje në karrierë në boksin profesionit.
Në një intervistë për Report TV Hysa rrëfeu përgatitjet e bëra në Spanjë, pritshmëritë për duelin dhe faktin që ndeshja zhvillohet më 28 nëntor, ‘Ditën e Flamurit’.
Intervista e Nelson Hysës për Report TV
Nelson si kanë shkuar përgatitjet deri më sot? Sa kohë të është dashur për kapur formën?
“Është ndeshja më e madhe e boksit shqiptar deri më sot. Jam i gëzuar që jam pararojë e kësaj nisje. Shqipëria ka shumë djem të talentuar, por unë kam shumë vite që përgatitem për një ndeshje të tillë. Normalisht në momentin që u vendos ndeshja kemi filluar stërvitje intensive prej 10 javësh në Spanjë. Ka patur dëmtime, por në përgjithësi ka shkuar mirë. E ndiej se jam në një formë të mirë sportive. Të gjitha ndeshjet e kontrollit kanë kaluar mirë dhe shpresoj ta sjell titullin kampion bote në Shqipëri.”
Ka patur përgatitje speciale për këtë duel dhe kur do të udhëtoni në Gjermani?
“Që ditën e dielë kemi mbyllë përgatitjet. Kampin siç i themi ne. Tani po punojmë pak me shpejtësinë dhe mbajtjen e formës sportive. Në Duseldord do udhëtoj për këto dy ditë dhe do jem atje deri ditën e shtunë. Atmosfera është shumë e zjarrtë, shumë shqiptarë që na presin. Ky titull mori përmasat që duhet dhe shqiptarët e kuptuan që duhet të ktheheshin te boksi i vërtetë.”
Përballë do të jetë Agit Kabayel, një kampion ndërkombëtar i cili ka treguar vlerat e tij. Sa e vështirë ishte të vendosej një ndeshje e tillë?
“Isha shumë afër një ndeshje të tillë, se jam numri 3 në botë. Agit Kabayel është kampion i botës dhe vetëm ai e unë jemi në top 10 pa humbje. Iu vetëofrova për një ndeshje të tillë sepse kam shumë besim të vetja dhe puna që kemi bërë. E di se mund ta fitoj këtë titull.”
Çfarë ndien? Mund ta fitosh këtë ndeshje përballë Kabayel?
“Shkoj me besim 100% që ta fitoj këtë ndeshje. Jam përgatitur për këtë punë. Me ndihmën e Zotit shpresoj të kthehem me titull kampion bote në Shqipëri.”
E keni studiuar kundërshtarin? I keni parë pikat e dobta të Kabayel?
“Çdo boksier kur futet në ring besoj i ka gjetur pikat e dobta të kundërshtarit. Besoj se kemi punuar në mënyrën e duhur pësa i përket Kabayel. Shpresoj se do të jetë një ndeshje e bukur për t’u parë. Në peshat e rënda ndeshja ndryshon nga një sekond në tjetrën. Shpresoj ta fitoj në mënyrën më të bukur.”
Mbështetja e shqiptarëve në Duselford do jetë e madhe, ndërsa stadiumi ka një kapacitet prej 60 mijë tifozësh. Sakaq ndeshja është në një ditë të shënuar për shqiptarët: 28 nëntor.
“Pata fatin që ndeshja u vendos në këtë ditë. E ndiej veten me fat. Është histori më vetë vetëm pjesmarrja se është hera e parë që flamuri shqiptar garon për një titull kampion bote. Shumë e veçantë në boksion profesionist ku dihet se sa i zhvilluar është në botë. Ka patur kampione bote si Mike Tyson, Klitschko, Muhamed Ali ky titull. Është diçka e veçantë që në këtë ditë të veçantë të bëjmë ndeshje me ndihmë të Zotit të marrim fitore,”







Komente
Komento