Mjeku Ermal Pashaj apelon për një angazhim më të gjerë të forcave politike në mbështetje të protestës qytetare, duke theksuar se kjo lëvizje duhet të qëndrojë përtej interesave partiake. Kritik ndaj qeverisjes aktuale, Pashaj e cilësoi Partinë Socialiste si një parti të kthyer në totalitare, ndërsa nënvizoi se protesta përfaqëson interesat e qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
“Të gjithë polet politike i ftoj të qëndrojnë në polin e protestës sepse protesta nuk është vokacion për parti, por është vokacion për Shqipëri. Asnjë elektorat nuk është i përjashtuar”, u shpreh Pashaj. Ai kërkoi gjithashtu një angazhim më konkret të deputetëve në Kuvend, duke argumentuar se përfaqësuesit e zgjedhur duhet t’i përkthejnë shqetësimet e qytetarëve në nisma ligjore dhe veprime institucionale.
“Deputetët fushëbetejën nuk e kanë në shesh, por e kanë në Parlament. I ftojmë që të bëjnë më shumë në Parlament. Luftën reale e kanë në Parlament”, theksoi mjeku në ”News 24”. Duke u ndalur te data 28 nëntor, Pashaj u bëri thirrje edhe shqiptarëve të diasporës që të bëhen pjesë e një manifestimi paqësor qytetar.
“Më 28 nëntor do të zbarkojnë në Shqipëri, bijë të shqipes nga çdo anë e botës. Është momenti të tregojnë paqësisht me forcën e numrave se ata janë aty”, deklaroi ai.
Sipas Pashajt, protesta ka rikthyer vëmendjen e qytetarëve ndaj politikëbërjes, ndërsa partitë opozitare duhet ta konsiderojnë këtë lëvizje si një aleate. “Partitë opozitare mund ta bëjnë protestën aleate. Zgjidhjet do të dalin kur njerëzit ta kuptojnë që kjo lëvizje, ky moment në Shqipëri është historik”, përfundoi Pashaj.
