UEFA Development U15: Shqipëria e mbyll me fitore, por nuk mjafton për vendin e parë

24 Nëntor 2026
18:32
Telesport
back button

Shqipëria U15 e mbylli me fitore turneun UEFA Development, duke mundur 2-0 në “Shtëpinë e Futbollit” përfaqësuesen e Ishujve Faroe. Skuadra kuqezi ishte dominuese gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa arriti të shënojë dy gola në pjesën e dytë me Muçën dhe Liçkën.

Trajneri Bledar Borova e nisi sfidën me këtë formacion: Cen Amulli, Uvejs Kadriu, Gabriel Haka, Sergen Jakupi, Enis Repaj, Damian Qatipi, Deon Fehimi, Enio Shtuka, Loen Liçka, Rouen Dani dhe Patrik Shurdhaqi. Ndërkohë, në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Alessio Paloka, Rei Muça, Brian Hykollari, Ersan Senko dhe Gerald Qirjazi.

Pjesa e parë foli e gjitha për Shqipërinë, që krijoi shumë raste për shënim, por nuk arriti t’i konkretizojë. Në minutën e 35-të, fati nuk ishte në anën e Liçkës, teksa goditja e tij u ndal nga traversa.

Edhe pjesa e dytë pati të njëjtën panoramë, me kuqezinjtë që goditën shtyllën pak minuta pas rifillimit të lojës. Megjithatë, më pas Shqipëria arriti të shënojë dy herë brenda pak minutash, pak pasi ishte mbushur 1 orë lojë. Muça, i cili kishte vetëm pak minuta që ishte aktivizuar, realizoi golin e avantazhit, ndërsa Liçka vulosi fitoren e skuadrës së Borovës me një gol mjaft të bukur nga distanca.

Shqipëria U15 e mbyll këtë turne me 7 pikë, pas dy fitoreve ndaj Irlandës së Veriut dhe Ishujve Faroe, si dhe barazimit me Poloninë. Një paraqitje pozitive dhe premtuese për 15-vjeçarët kuqezi, të cilët treguan cilësi dhe potencial gjatë këtij turneu.

Në ndeshjen tjetër, Polonia arriti të fitonte bindshëm 6-1 përballë Irlandës së Veriut. Polakët e mbyllën turneun në vendin e parë, me një pikë më shumë se Shqipëria.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit