Zgjedhjet për pushtetin vendor që pritet të zhvillohen me 9 maj të vitit të ardhshëm, duan më pak se 5 muaj që të mbërrijnë. Janë në ‘metrat’ e fundit këto zgjedhje dhe ngutja për përgatitjen e tyre nga ana e partive politike, normalisht duhet të jetë e madhe.

Formacionet politike kanë nisur përgatitjet, sipas takatit dhe mundësisë, për të qënë prezentë në bazë, por edhe për të piketuar e zgjedhur kandidatët më të mirë, që të garantojnë maksimalen e thithjes së votave, jo vetëm të anëtarësisë e simpatizantëve, por edhe të pjesës gri të elektoratit.

Socialistët janë më përpara me përgatitjet për zgjedhjet e 9 majit, duke i kushtuar një rëndësi të shtuar shpërndarjes në bazë të të deleguarve të PS, të cilët zhvillojnë takime çdo të premte, por dhe tërë fundjavën në zonat respektive, të deputetëve si dhe të anëtarëve të forumeve të partisë.

Socialistët kanë ‘zbarkuar’ në bazë me synimin final për të forcuar e vitalizuar më tej strukturat e PS, duke e përqëndruar vëmendjen maksimalisht në të 46 bashkitë e vendit, tashmë me ndarjen e re territoriale, por në veçanti, në kryeqytetin, Tiranë.

Janë zgjedhur dy të deleguarit për PS në bashkinë e Tiranës, zv.kryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Brendshëm Ervin Demo, ndërsa nuk kanë lëvizur dy emrat e ekipit drejtues të qarkut të Tiranës, përkatësisht Ogerta Manastirliu dhe Taulant Balla.

Nga ana tjetër edhe deputetët e qarkut të Tiranës, në krye të të cilëve është vetë kryeministri Edi Rama, do të jenë maksimalisht të involvuar në përgatitjen e strukturave për zgjedhjet e 9 majit dhe zhvillimin e fushatës zgjedhore, për të fituar sërish qeverisjen e kryeqytetit, i cili aktualisht po drejtohet prej gati dy vitesh direkt nga qelia, pasi Erion Veliaj është në paraburgim.

Nga ana e saj, Partia Demokratike po lëviz në shumë ‘korsi’, por pa ndonjë fokus të veçantë dhe objektiv të qartë. Teksa zbritjen e lidershipit dhe të deputetëve në bazë e ka lënë në harresë me kohë e me vakt, kjo ndoshta edhe për shkak të faktit se, kupola drejtuese e demokratëve është e padëshiruar në bazë, por është dhe e tejkaluar nga koha e vitet, lideri i PD, Sali Berisha, po ‘monitoron’ me shumë vëmendje zhvillimet brenda PS, me shpresën se mund të ketë ndonjë ‘çarje’ në partinë më të madhe dhe qeverisëse në vend, për të marrë ‘qyl’ ndonjë përfitim të mundshëm e shmangur humbjen e thellë në të gjitha bashkitë.

Aq shumë është i fiksuar me sytë nga PS dhe Rama, sa lideri 82 vjeçar i PD ka nisur ‘rrufe’ edhe ‘rehabilitimin’ politik të kundërshtarëve më të egër të tij ndër vite nga radhët e PS, pas Ramës kuptohet, me të cilët mbushte hapësirën mediatike me sulme nga më monstruozet, deri dhe kundëer familjeve të tyre. Fundja këtë strategji politike ka ndjekur gjithnjë Berisha, ku diversioni është pjesë e lojës politike. Po ama janë ‘kthesa’ të forta qëndrimesh këto, të panatyrshme për një kryetar partie, si dhe të dëmshme për një njeri në pleqëri të thellë, sikurse është lideri i PD.

Megjithatë shpresa është gjë e madhe, dhe ëndrrat, edhe ato me sy hapur, janë pa shpenzime! Shërbejnë dhe për të mbajtur me gajret militantët. E themi këtë, sepse socialistët kanë një të ‘metë’ shumë të madhe dhe të demonstruar prej vitesh, nuk shkojnë kurrë pas emrave të përveçëm, thjeshtë për emocion. Kur bëhet fjalë për një gjë më të madhe, që është qeverisja vendore apo qëndrore, ata përzgjedhin të shkojnë pas liderit i cili u ka garantuar fitoret.

Historiku ka treguar se asnjë prej ‘frakturave’ të dala nga shkëputja e ndonjë grupimi nga PS, nuk ka bërë hajr më vete. Përjashtuar Metën me LSI, i cili mori tërë ajkën e PS në prag të zgjedhjeve të 2005, njerëz që bënin vota. Kishte dhe fuqinë financiare Meta me vete. Por, vetëm kandidimi në mazhoritar i partive aleate të Fatos Nanos në atë kohë, PAD e Cekës, PSD e Gjinushit e PAA e Xhuvelit dhe heqja në kod e raundit të dytë të zgjedhjeve, bëri që PS të humbiste me shumë pak vota përballë koalicionit të Berishës, ndërkohë që me votat në proporcional të PS, aleatët e vegjël morën shumë mandate deputetësh. Por ama Berishës, gjithsesi, iu desh të merrte edhe 5 deputetët e Xhuvelit, për të qeverisur mandatin e parë. Meta, kishte dhe ‘lehtësinë’ e kapërceimit herë djathtas e herë majtas, në funksion të konjukturave politike, me partinë të shuar tashmë.

Nga ana tjetër, Berisha nuk ka zënë mend asnjëherë, teksa fillon e mbështet zërat ndryshe tek partia kundërshtare. Nëse të mbështet Berisha, kuptohet për nevojat e tij politike, edhe pa dëshirën tënde por që nëse hesht të merret dëshirë e mirëqenë, të ka ‘djegur’ përfundimisht brenda partisë që aderon dhe nuk bëhet më askush pas kësaj. Për më tepër që në të tilla raste, socialistët kanë atë vetinë ndryshe, shtrëngojnë akoma më shumë radhët rreth drejtuesit i cili u garanton vijimin e qëndrimit në pushtet, sidomos me Berishën përballë. Dhe kur nuk bëri hajr gjithë ai Fatos Nano, i ndjerë tashmë, lideri historik i PS, që nuk u bë që nuk u bë president pavarësisht premtimit të Berishës, i cili edhe e ‘amnistoi’ nga akuza për vrasjen ish liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari, është e pamundur që dikush tjetër të tërheqë diçka me vete nga PS. As për të prishur punë.

Por as në PD-në e Berishës, nuk ka bërë askush hajr jashtë saj. Madje as Lulzim Basha, i cili pavarësisht mbështetjes pa limit që iu dha nga Berisha, ka drejtuar tërë postet e mundshme qeveritare të PD, mori edhe bashkinë e Tiranës në tavolinë po me ndihmën e Berishës, u zgjodh po me ndihmën e tij kryetar i PD, pas çdo humbjeje përballë Ramës, mbeti sërish një ‘mish i huaj’ për PD-në. U vertetua se nuk kishte ‘ngjitur’ kurrë në këtë parti, pasi sapo u zemërua Berisha, pas shpalljes non grata nga SHBA dhe përjashtimit nga grupi parlamentar nga Luli, direkt i mori vulën e logon e PD, duke e rrëzuar nga posti i kryetarit të partisë e duke e dëbuar Bashën ‘fishek’ edhe nga partia. Janë fakte këto, nuk janë shpikje nga ana jonë.

I nënvizuam këto elementë, për të treguar se ngazëllimi që ka përfshirë panelet televizive e disa segmente të opozitës këto kohët e fundit, për shpresën e ndonjë çarjeje të mundshme në PS, nuk e rrit opozitën. Përkundrazi, e bën lidershipin e saj që të qëndrojë kafeve e paneleve televizive të kryeqytetit, pa zbritur në bazë, pikërisht aty ku merren votat. Sidomos për zgjedhjet për pushtetin vendoir, që janë në prag.

Berisha këtë gjë e di fort mirë, madje është më se i qartë se sa të gjithë të tjerët bashkë, se ashtu sikurse nuk i lëviz atij asnjë ‘qime’ nga asnjë kundërshtar brenda PD, e di që dhe Rama është pikërisht në këtë standard. Madje në një standard më të privilegjuar, sepse është në pushtet. Berishës në opozitë, ia do puna për të bërë diversion, për të mbajtur me thonj këtë primatin e opozitës, sepse e di si dreqi se humbjen e ka të garantuar. Tani ai po mendon vetëm për thellësinë e saj, që të jetë sa më e lehtë, por dhe për alibinë e kësaj humbjeje.

Pikërisht për këtë arsye Berisha ka nisur të ‘joshë’ dhe liderët e partive të vogla opozitare, të cilat janë në dilemën mes protestës, e cila nuk po përkthehet në një lëvizje politike për të qënë në  grupin e lidershipit opozitar, përfshirë dhe PD-në dhe aleatët e saj, një formacion politik ky i konsoliduar dhe që në zgjedhjet e fundit ka mundur të marrë mbi 500 mijë vota. Përkundrazi, duke qënë se kanë mbetur ‘horizontalisht’ pa u kthyer me ‘vertikale’, pra pa organizim qëndror dhe pa asnjë mundësi dakordësie për përzgjedhjen e ndonjë kandidati për të hyrë në zgjedhje, grupimet që përbëjnë protestën në shuarje, i mëshojnë idesë së përjashtimit të PD dhe dialogut.

Por kjo nuk e ka penguar liderin e PD të deklarojë vetë, por dhe përmes drejtuesve të lartë të kësaj partie, se është i gatshëm për një kandidat të përbashkët për garën për kryetarin e bashkisë së Tiranës, pa vendosur asnjë kusht. Pra dhe për një kandidat të dalë nga protesta, duke mbërritur deri aty sa të hedhë ofertën edhe në drejtim të Arlind Qorit, ndaj të cilit nuk ka lënë akuzë pa thënë, sidomos pas hedhjes në Lanë të sekretarit të organizimit të PD, për të cilin akuzon militantët e Lëvizjes “Bashkë’. Më se njëherë ka kërkuar daljen me kandidat të përbashkët, me argumentin se në këtë situatë përplasjesh në PS, ka shanse për të fituar opozita në Tiranë më 9 maj të vitit të ardhshëm.

Por, Berisha, si ‘skile’ e vjetër e politikës që është nuk ka shumë besim tek këto partitë e reja dhe as tek protesta, të cilët në qendër të ‘konsensusit’ nëse bëhet fjalë për një të tillë, kanë vënë kushtin sipas të cilit jo vetëm Berisha për dhe vetë partia më e madhe opozitare, PD, të hiqen mënjanë, dhe të mbështesin një kandidat të përzgjedhur nga grupimet e protestës, si në Serbi.

Kështu, nga njëra anë Berisha fton partitë e vogla të opozitës që të bisedojnë për arritjen e një kompromisi për nxjerrjen e një kandidature të përbashkët për garën e 9 majit, nga ana tjetër ka vijuar procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie nga radhët e PD-së për 10 bashkitë më të mëdha të vendit. Janë bërë publike në media, lista të dala nga zyrat e PD këto, dhe as që janë kundërshtuar apo përgënjeshtruar deri më tani nga lidershipi demokrat.

Madje PD vijon të mbledhë propozimet nga të gjitha degët për figurat me të cilat do të garojë në zgjedhjet lokale të 9 majit, për të gjitha bashkitë. Duke vënë dhe afat, i cili skadon të hënën e ardhshme, vetëm dy ditë pas protestës ‘mbarëkombëtare’ të 28 nëntorit, të paralajmëruar nga të gjitha grupimet, përfshirë dhe vetë PD-në dhe partitë opozitare. Deri më tani janë mësuar disa prej emrave që do të hyjnë në këto zgjedhje, të përzgjedhur nga radhët e PD, pavarësisht ftesës ndaj Lapajt, Shehajt, Qorit dhe përfaqësuesve të protestës, përfshirë dhe Hasimen brenda.

Deputeti Gjin Gjoni mund të garojë për bashkinë e Lezhës dhe  deputeti Xhelal Mziu tashmë ka nisur punën për garën për bashkinë e Kamzës. Në Kavajë, Mirditë e Has do të garojnë kryetarët aktualë të bashkive, Fisnik Qosja, Albert Mëlyshi e Miftar Dauti. Ndërsa në Tiranë, thuajse është e sigurtë kandidimi i Ilir Alimehmetit, në Durrës është propozuar Ardian Gashi, në Berat është përzgjedhur Parid Mahmutaj, në Kurbin kanë ardhur shumë kandidatura, mes të cilave Edmond Shkoza, Kastriot Piroli, Behar Haxhia si dhe deputetja aktuale, Elda Hoti. Ndërsa në Kukës është propozuar Rrahman Demaj, në Tropojë Feride Rrahmanaj, në Krujë Aulon Kalaja e në Tepelenë Albert Malaj. Bashkitë e tjera të hënën sjellin propozimet për kandidatët për kryetarë bashkie, të përzgjedhur nga radhët e PD.

Këto kandidatura janë përzgjedhur pa pyetur fare partitë e reja opozitare, të cilave tre herë në ditë Berisha ju bën ftesa për të dalë me një kandidat të përbashkët për zgjedhjet vendore të 9 majit të vitit të ardhshëm, ndërkohë që e ka ndarë mendjen se kë do të kandidojë për 46 bashkitë e vendit, në emër të PD. Nuk hap rrugë Berisha kur bëhet fjalë për primatin e opozitës në këtë vend, për të cilin ka luftuar shumë, madje ka hedhur lekë shumë për këtë punë.

Për këtë arsye pritet që në shumicën e bashkive, në Tiranë po e po, partitë opozitare të kenë më shumë se sa një kandidaturë, përballë kandidaturës së vetme të PS, të drejtuar nga Edi Rama. Por dhe sikur në kryeqytet të dalin me një kandidaturë të vetme opozitarët, sërish do të humbisnin përballë PS. Si përherë.

Berisha, por dhe partitë e vogla opozitare e kanë treguar se kanë punuar fort nën rrogoz kundër njëri tjetrit. Ia kanë me hile njëri tjetrit, siç po bën Berisha, ku nga njëra anë vë në ‘gjumë’ liderët opozitarë me ftesat për një kandidat të përbashkët, nga ana tjetër e ka mbyllur procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, nga radhët e PD. Ky standard i dyfishtë do të prodhojë masivisht kandidatë opozitarë, për çdo bashki.

Ajo që mund të themi, është se Berisha nuk arrin asgjë as dhe me këta kushurinjtë e kushurirat e inflitruara në protestë, të cilët nuk kanë asnjë mbështetje veç thirrjeve në video duke ecur në trotuar, bashkë me adoleshentët e ‘rekrutuar’ për të marrë pjesë, ‘o Rame, o Rame, a do të ikësh apo jo’. Si Basha vaktit. Berisha thjeshtë për kërkon alibi për humbjen që e ka të sigurtë. Duke filluar që me kontestimin e elektronikës në zgjedhje.