Lajmi i fundit

LIVE/ PD zhvillon foltoten e 'Ripërtëritjes' në Durrës

VIDEO/ Osman Stafa: Durrësi është grabitur dhe vrarë, PD duhet të rikthejë moralin, dinjitetin dhe të vërtetën

18:46, 24/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i Degës 2 të Partisë Demokratike në Durrës, Osman Stafa, gjatë takimit të Foltores së ‘Ripërtëritjes’, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar Durrësin si një qytet të grabitur dhe të shkatërruar nga interesat e pushtetit, oligarkisë dhe industrisë së ndërtimit.

Në fjalën e tij drejtuar Sali Berishës dhe demokratëve të pranishëm, Stafa u ndal te shpopullimi, degradimi i turizmit dhe shkatërrimi i trashëgimisë historike të qytetit. Ai kërkoi gjithashtu që PD të rikthejë në qendër të ofertës së saj politike moralin, dinjitetin dhe të vërtetën, ndërsa paralajmëroi për atë që e cilësoi si importim të votuesve nga jashtë Durrësit në funksion të zgjedhjeve.

Fjala e Osman Stafa, kryetari i degës 2 të PD në Durrës:

Doktor Berisha, mirëmbrëma dhe mirë se erdhët! Miq, bashkëpunëtorë, deputetë dhe kolegë, ju përshëndes dhe ju uroj mirëmbrëma. Është kënaqësi ky komunikim dhe ky ballafaqim.

Unë kam dëshirë të flas pak ndryshe. Zoti kryetar, ju përgëzoj dhe ju falënderoj për fjalën.

Arsyeja pse dëshiroj ta nis pak ndryshe këtë bashkëbisedim me ju është një kujtim që lidhet drejtpërdrejt me doktor Berishën. Më kujtohet momenti kur doktor Berisha u shpall non grata. Ishte një moment i rëndë për Partinë Demokratike dhe për demokracinë shqiptare. Në hotel Rogner, doktor Berisha citoi tri fjalë që përbënin arsyen pse do të përballej: moralin, dinjitetin dhe të vërtetën.

Arsyeja pse e nisa këtë diskutim duke kujtuar këto tri fjalë është se ato janë tri vlera të shenjta, të cilat, për hir të së vërtetës, sot i mungojnë jashtëzakonisht shumë shoqërisë shqiptare. Shoqëria shqiptare dhe Partia Demokratike kanë nevojë t'u rikthejnë shqiptarëve moralin, dinjitetin dhe të vërtetën.

Kjo është një kauzë dhe një sfidë për shoqërinë shqiptare. Por, si gjithmonë në momente vendimtare, Partia Demokratike ka treguar se është e denjë për të përfaqësuar dhe për të fituar mbi kauzat që përcaktojnë të ardhmen e shqiptarëve.

Dëshiroj të diskutoj edhe një moment të dytë: situatën aktuale politike që po kalon Shqipëria. Është një situatë e jashtëzakonshme, me të cilën vendi nuk është përballur kurrë më parë gjatë këtyre 36 viteve. Për hir të së vërtetës, demokracia shqiptare është marrë peng dhe e gjithë shoqëria shqiptare, bashkë me Shqipërinë, është marrë peng nga sekti i Edi Ramës. Ky është realiteti, miq dhe bashkëpunëtorë të mi. Ky është realiteti me të cilin duhet të përballemi.

Ndërsa Edi Rama sot është marrë peng nga oligarkia financiare dhe krimi ndërkombëtar. Kjo është një e keqe që na ka rënduar prej vitesh dhe do të vazhdojë të rëndojë mbi ne nëse nuk do të guxojmë të përballemi me të. Kjo e keqe largohet vetëm përmes përballjes.

I nderuar doktor Berisha, qyteti i Durrësit është i grabitur. Qyteti i Durrësit është vrarë. Pa frikë e them: është përdhunuar dhe sot është një viktimë. Është viktimë e pushtetit.

Durrësin e ka vrarë nëntoka. Kur vritet nëntoka e Durrësit, do të thotë se është vrarë historia e tij. Ky qytet jeton mbi histori dhe ne kemi misionin që të mos lejojmë t'i vritet historia.

E ka vrarë industria e ndërtimit. E ka vrarë turizmi. E ka vrarë me dashje. Dhe unë them se këtu ka interesa që shkojnë përtej oligarkisë apo industrisë së ndërtimit. Turizmi sot është një nga bazat e ekonomisë globale. Durrësi nuk ka më turizëm. Është kthyer në një zonë urbane. Duam apo nuk duam ta pranojmë, ky është fakt.

Por ne nuk duhet të harrojmë historinë tonë. Në 36 vite demokraci, Partia Demokratike në Durrës ka pasur dy kryetarë bashkie: të ndjerin Tomor Golemi dhe Arqile Gorean. Ne duhet ta themi me kënaqësi, sepse gjatë kohës kur Partia Demokratike ishte në pushtet, nuk lejuam që të shkatërrohej as nëntoka dhe as turizmi i Durrësit. Këtë duhet ta mbajmë edhe si kauzë, sepse meritojmë të respektojmë historinë tonë.

Do të kisha dëshirë të ndalesha edhe te një tjetër shqetësim. Gjatë këtyre viteve, sidomos në 14-15 vitet e fundit, pa mohuar problematikat edhe gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, Durrësi është përdorur si plaçkë tregu në interes të Tiranës.

Dëshiroj të ngre edhe një shqetësim madhor, që është një shqetësim kombëtar: shpopullimin e popullsisë.

Miqtë e mi, ndiej kënaqësi për këtë pjesëmarrje. Kjo tregon forcën e Partisë Demokratike dhe të qytetarëve durrsakë për të ndryshuar. Por shpopullimi i shqiptarëve është një nga krimet më të rënda që i është bërë Shqipërisë gjatë këtyre 36 viteve. Ne duhet të kemi kurajën të përballemi me këtë fenomen dhe të krijojmë mundësitë për të rikthyer të paktën një pjesë të atyre që janë larguar. Në të kundërt, dëmi do të jetë i jashtëzakonshëm dhe i pallogaritshëm.

Në vijim të këtij shqetësimi dhe meqenëse po flasim edhe për një ripërtëritje, dëshiroj t'i drejtohem doktor Berishës dhe deputetëve të Partisë Demokratike: ne duhet ta vendosim në statutin e Partisë Demokratike bashkimin e trojeve shqiptare si një kauzë të patjetërsueshme. Ky duhet të jetë një kusht i panegociueshëm për të shpëtuar Shqipërinë sot. Ne duhet të kërkojmë bashkimin e trojeve shqiptare.

Në mbyllje, dua të them edhe dy gjëra.

Doktor Berisha, të enjten në Parlamentin shqiptar diskutohet buxheti. Do të dëshiroja që deputetët e Partisë Demokratike të mos mjaftohen vetëm me ngritjen e kartonit kundër buxhetit, por të bëjnë një analizë të hollësishme, sidomos për sektorët jetikë të ekonomisë shqiptare.

Kur bujqësisë i akordohen 50 apo 60-70 milionë euro, kjo do të thotë se kaq para krimi i organizuar përdor sot vetëm për të blerë farë hashashi në Shqipëri dhe jo për bujqësinë. Pra, kemi të bëjmë me një planifikim për shkatërrimin e bujqësisë shqiptare.

Për këtë arsye, do të dëshiroja që deputetët e Partisë Demokratike të paraqisnin një platformë konkrete për të ndryshuar këtë situatë dhe për t'u ofruar qytetarëve alternativën që ata presin prej nesh.

Kam edhe një shqetësim dhe një informacion që duhet të na vërë të gjithëve në alarm. Kam të dhëna se nga Bashkia e Durrësit po importohen votues nga jashtë qytetit, ashtu siç ka ndodhur në vitin 2015. Pra, bandat e krimit po vazhdojnë me të njëjtën metodë për të importuar votues nga jashtë Durrësit, në funksion të votimeve të 14 majit.

Në mbyllje, i uroj suksese Partisë Demokratike dhe fitore në zgjedhjet e ardhshme.

Dhe, shumë miqësisht, meqenëse jam një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe prej 36 vitesh pjesë e kësaj partie, do të dëshiroja që oferta jonë të bazohet, në radhë të parë, te morali, dinjiteti dhe e vërteta.

Këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe çdo bashkëpunëtori që, me apo pa dashje, mund të jetë larguar nga radhët e Partisë Demokratike.

Faleminderit dhe suksese të gjithëve!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco