Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur alarmin për një rritje të mundshme të infektimeve të reja me HIV gjatë vitit 2027, si pasojë e shkurtimeve të financimit ndërkombëtar dhe dobësimit të programeve të parandalimit dhe trajtimit. Drejtoresha ekzekutive e UNAIDS, Winnie Byanyima, paralajmëroi se bota rrezikon të humbasë një pjesë të përparimit të bërë ndër vite në luftën kundër AIDS-it, pikërisht në një moment kur eliminimi i sëmundjes si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030 duket më pranë.
Sipas të dhënave më të fundit, infeksionet e reja me HIV ranë në 1.2 milionë gjatë vitit të kaluar, nga kulmi prej 3.5 milionësh i regjistruar në vitin 1994. Megjithatë, kjo tendencë pozitive mund të përmbyset nëse vazhdojnë shkurtimet e fondeve për shërbimet shëndetësore. Byanyima theksoi se pasojat kanë nisur të ndihen në disa vende, ku mungesa e financimit po çon në mbylljen e klinikave të parandalimit, reduktimin e personelit dhe kufizimin e shërbimeve për personat në rrezik infektimi. Shqetësime janë raportuar edhe në disa pjesë të Amerikës së Jugut, ku rastet e reja kanë nisur të rriten.
Shkurtimet e fondeve godasin programet e parandalimit
Financimi ndërkombëtar për luftën kundër HIV-it ka rënë me pothuajse 20% gjatë vitit të kaluar, duke krijuar vështirësi për shumë vende që nuk kanë mundësi ta kompensojnë vetë mungesën e fondeve.
Përveç problemeve financiare, një tjetër shqetësim lidhet me kufizimet politike ndaj shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues, si dhe të drejtave të komunitetit LGBTQ+. Sipas drejtueses së UNAIDS, këto zhvillime mund të pengojnë aksesin në testim, parandalim dhe trajtim, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të infeksionit.
UNAIDS shkurton stafin dhe aktivitetin në dhjetëra vende
Edhe vetë agjencia e OKB-së për luftën kundër AIDS-it po përballet me një proces të thellë ristrukturimi. Në kuadër të reformave, UNAIDS ka shkurtuar gjysmën e stafit dhe ka pezulluar operacionet në rreth 30 vende.
Një plan për shpërbërjen e plotë të agjencisë u rrëzua nga bordi muajin e kaluar, megjithatë pritet që organizata të vijojë punën me një strukturë më të vogël. Winnie Byanyima, e cila pritet të largohet nga drejtimi i agjencisë në dhjetor, paralajmëroi se shkurtimet dhe kufizimi i shërbimeve mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta në numrin e infektimeve gjatë viteve të ardhshme.
Synimi i Kombeve të Bashkuara mbetet eliminimi i AIDS-it si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030, por mungesa e financimit dhe dobësimi i programeve parandaluese rrezikojnë të vënë në pikëpyetje arritjen e këtij objektivi.






Komente
Komento