Papa i ndjerë Françesku ka rrëfyer në ditarin e tij personal se e ka parë djallin në tri raste të ndryshme dhe se një herë ka parë edhe “portat e ferrit”. Rrëfimet janë bërë publike në librin “Ditari personal i Papa Françeskut”, të përgatitur nga kardinali argjentinas Víctor Manuel Fernández, i cili përmban shënime të mbajtura gjatë viteve 1992–2024. Në një shënim të 24 janarit 2021, Françesku përshkruante tri raste kur, sipas tij, djalli i ishte shfaqur fizikisht: në Buenos Aires, në një kapelë karmelitane dhe në Romë, pas vizitës së tij në Kili në vitin 2018. “E pashë nga dritarja e makinës. Nuk do t’i harroj sytë e tij kërcënues dhe, njëkohësisht, joshës”, shkruante ai.
Në një tjetër shënim, të 7 qershorit 2018, Françesku rrëfente se kishte parë “hyrjen e ferrit”, një përvojë që e kishte tmerruar dhe e kishte shtyrë të kërkonte mbrojtje përmes lutjes dhe rruzares. Ditari zbulon gjithashtu se papa kishte kaluar një krizë të thellë shpirtërore, që zgjati rreth dy vjet, duke nisur në vitin 2021. Ai kishte reflektuar mbi tundimin e pushtetit, përgjegjësitë e drejtimit të Kishës dhe dobësitë e tij personale, duke pranuar se kishte përjetuar ndjenja zilie, krenarie dhe përbuzjeje.
Libri përmban edhe reflektime mbi skandalin e abuzimeve seksuale në Kishën Katolike në Kili, si dhe vlerësime për pasardhësin e tij, papa Leone XIV. Botimi prej 160 faqesh është miratuar nga papa Leone XIV dhe përmban vetëm fragmente të përzgjedhura të ditarit, pasi disa prej shënimeve më konfidenciale të Françeskut ishin shkruar në një kod të padeshifrueshëm.
