Ai fitoi dy çmime 'Oscar' dhe tani pranon se e ka të vështirë të gjejë role të reja

Aktori amerikan Mahershala Ali ka treguar se, pavarësisht dy çmimeve Oscar që ka fituar gjatë karrierës së tij, gjetja e roleve të reja në Hollywood nuk është gjithmonë e lehtë.
Gjatë një paraqitjeje në podcastin “7PM in Brooklyn”, aktori foli për vështirësitë me të cilat përballen artistët në industrinë e filmit, duke theksuar se sot ka më shumë aktorë të talentuar sesa projekte cilësore në të cilat ata mund të angazhohen.
I njohur për rolin e tij në filmin “Moonlight”, Ali shpjegoi se aktorët nuk konkurrojnë domosdoshmërisht për të njëjtat role, pasi vetëm një numër i kufizuar prej tyre përmbush kriteret e kërkuara për personazhe të caktuara. Ai shtoi se në shumicën e projekteve që marrin miratimin për t'u realizuar, nuk ka role që i përshtaten profilit të tij.
- YouTube youtu.be
“Prandaj, nuk ka rëndësi edhe nëse i kam 17 çmime Oscar. Nëse dikush nuk shkruan një rol posaçërisht për ty ose nuk miraton një projekt në të cilin të sheh si pjesë të tij, atëherë je njësoj si të gjithë të tjerët – pret, vëzhgon dhe kërkon”, u shpreh aktori.
Ai theksoi se një alternativë për aktorët është edhe krijimi i projekteve të tyre, megjithatë ky proces mund të zgjasë me vite deri në realizimin e tyre.
- YouTube youtu.be
Gjatë karrierës së tij, Mahershala Ali ka qenë pjesë e disa produksioneve të vlerësuara nga kritika dhe publiku. Ai ka fituar dy çmime Oscar në kategorinë e aktorit më të mirë në rol dytësor, për interpretimet e tij në filmat “Moonlight” (2016) dhe “Green Book” (2018).
Në vitin 2019, Marvel njoftoi se Ali do të interpretonte personazhin e Blade në filmin me të njëjtin emër. Megjithatë, realizimi i projektit është shoqëruar me shtyrje të shumta, ndryshime në drejtimin krijues dhe largimin e disa regjisorëve, duke bërë që filmi të përballet me një rrugëtim të vështirë drejt ekranit të madh. /Telegrafi/












































