Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj flet për zgjedhjet lokale dhe mundësinë e bashkimit të forcave opozitare në garën për Bashkinë e Tiranës, duke propozuar një formulë për përzgjedhjen e një kandidati të përbashkët dhe të pavarur. Në një intervistë për “News24”, Lapaj deklaroi se opozita mund të marrë drejtimin e kryeqytetit nëse drejtuesit e saj vendosin interesin publik mbi ambiciet personale dhe interesat partiake.
“Nëse liderishipi i opozitës duke përfshirë dhe veten, të gjithë drejtuesit vendosin interesin publik përpara llogarive të vogla apo përpara modelit KÇK, sot PS e ka të humbur bashkinë e Tiranës. Nëse lidershipi opozitës vendos egot, e kam për të gjithë, atëherë të mbajnë secili përgjegjësinë e vet”, u shpreh Lapaj.
Sipas tij, partitë e reja dhe qytetarët duhet të propozojnë kandidatët e tyre, ndërsa përzgjedhja e kandidaturës që do të gëzonte mbështetjen e përbashkët të realizohej nëpërmjet një sondazhi. “Ne themi partitë e reja, dhe qytetarët në shesh të propozojnë nga një kandidat në çdo bashki të vendit. Të kontraktojmë një kompani sondazhesh, dhe kandidati më i votuar në sondazh të jetë kandidat që mbështetet nga të gjithë. Kjo është formula e drejtë”, deklaroi ai.
Megjithëse përjashtoi mundësinë e një koalicioni me Sali Berishën, Lapaj shprehu gatishmërinë për të arritur një dakordësi mes forcave opozitare për një kandidaturë të pavarur në Tiranë. “Ne nuk mund të bëjmë dot koalicion me Sali Berishën, është e shkuara. Ne në funksion të kësaj republike të këtij vendi kemi bërë një hap pas, sakrificë të madhe dhe kemi thënë për Tiranën që është kalaja kryesore, dakordësojmë një kandidat të mesëm për të gjitha palët”, tha Lapaj.
I pyetur për kandidaturën e Florian Binajt, kreu i “Shqipëria Bëhet” nuk e përjashtoi përfshirjen e tij në proces, duke theksuar se forcat opozitare nuk duhet të vendosin kushte paraprake për emrat. “Nëse procesi nxjerr një kandidat të pavarur që të gjithë palët e pranojnë, mund të jetë dhe zoti Binaj pjesë e këtij procesi, ne nuk mund të vendosim kushte emrash”, theksoi ai.
