Një shpërthim i fuqishëm me makinë-bombë ka tronditur qytetin e Villavicencios në Kolumbi, pranë selisë së qeverisë rajonale të Departamentit të Metës. Si pasojë e sulmit, 23 persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre pesë efektivë të sigurisë, dy punonjës civilë dhe një vajzë nëntëvjeçare. Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima.
Sipas raportimeve të medias kolumbiane “El Tiempo”, hetimet paraprake tregojnë se autorët kanë përdorur një automjet tip “Renault”, në të cilin dyshohet se ishin vendosur më shumë se 80 kilogramë eksploziv.
Guvernatorja e Departamentit të Metës, Rafaela Cortés Zambrano, bëri të ditur se automjeti shpërtheu vetëm pak metra larg ndërtesës së qeverisë rajonale. Ajo theksoi se prioriteti i autoriteteve është dhënia e ndihmës mjekësore për të plagosurit dhe mbështetja e familjeve të tyre.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në zonën përreth. Ndërtesa banimi, dyqane, institucione arsimore dhe objekte të tjera në qendër të qytetit u prekën nga vala e fuqishme goditëse, e cila shkaktoi gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike.
Kryebashkiaku i Villavicencios, Alexander Baquero, deklaroi se sipas vlerësimeve paraprake janë dëmtuar më shumë se 85 ndërtesa. Megjithatë, nëse llogariten edhe njësitë individuale të banimit dhe bizneset brenda ndërtesave shumëkatëshe, numri i pronave të prekura mund të arrijë në rreth 500.
Ndërkohë, autoritetet vendore kanë ofruar një shpërblim deri në 150 milionë peso kolumbiane, rreth 39 mijë euro, për çdo informacion që do të ndihmojë në identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës për sulmin.
