Shkrimtari Ben Blushi ka ndarë disa nga sekretet dhe historitë që fshihen pas godinave ikonike të Tiranës, të cilat janë në qendër të romanit të tij më të fundit, “Historitë e çmendura të Tiranës”.
Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, Blushi ka treguar arsyet pse lexuesit duhet t’i drejtohen këtij romani, duke zbuluar se libri sjell histori pak të njohura mbi ndërtimin e disa prej objekteve më simbolike të kryeqytetit.
Një prej tyre është Muzeu Historik Kombëtar. Blushi ndalet te historia e ndërtimit të tij, çfarë u shemb për t’i hapur rrugë godinës dhe çfarë u zbulua në rrënojat e ndërtesave të mëparshme.
View this post on Instagram
Por rrëfimet nuk ndalen këtu. Në romanin e tij, trajtohet edhe historia e ndërtimit të hotel “Tirana”, godina 15-katëshe që ndryshoi pamjen e qendrës së kryeqytetit, si dhe ndërtesat që u prishën për t’i hapur rrugë ndërtimit të tij.
Një tjetër objekt ikonë që përfshihet në rrëfimin e Blushit është Pallati i Kulturës, pjesë e historisë arkitekturore dhe urbane të Tiranës.
“Përse duhet ta lexojnë romanin tim të fundit, arsyet i kanë në sheshin Skënderbej, libri tregon se si u ndërtua Muzeu Kombëtar , çfarë u prish dhe çfarë kishte në rrënojat e tij dhe çfarë kodi fsheh ai mozaik atje, Mozaiku Shqipëria që ka 13 figura, dhe kush janë arsyet që ka 13 dhe kush ishin arsyet që janë 13 figura. Dhe kush ishin motivet e njeriut që e skicoi. Një mozaik i famshëm i Tiranës simbolik që fsheh një kod sekret. Për të kaluar te mënyra se si u ndërtua ajo godinë e shëmtuar hoteli 15 katësh, hotel Tirana, çfarë u prish që u ndërtua ai, për të kaluar te një nga godinat ikonë që është Pallati i Kulturës”, tha ai.
Përmes librit “Histori të Çmendura të Tiranës”, Ben Blushi sjell një këndvështrim mbi historinë e kryeqytetit, duke rikthyer vëmendjen te transformimet urbane, ndërtesat e zhdukura dhe misteret që, sipas tij, fshihen pas simboleve më të njohura të qytetit.
