Nisin ndryshimet në përfaqësitë diplomatike, katër kandidatë në pritje të dekretimit për ambasadorë
Ministria e Punëve të Jashtme ka vazhduar me propozimet për zëvendësimin e ambasadorëve të Kosovës. Nga të propozuarit, siç merr vesh televizioni, deri tani vetëm ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshnica është dekretuar nga presidentja për ambasador të Japonisë. Të tjerat kandidatura, po ashtu shumica të lidhura me VV-në, janë në pritke. Sipas ligjit, partia në pushtet ka të drejtë emërimi të një numri të caktuar diplomatësh politikë.
Janë mbi 15 ambasadorë që iu ka përfunduar mandati por në detyrë do vazhdojnë të jenë edhe për pak ditë.
Kjo meqë, ka filluar emërimi i përfaqësuesve të rinj nga Kosova në diplomacitë e huaja.
Detyrën tashmë si ambasadorë në Japoni e ka marrë ish-deputeti i partisë në pushtet, Gazmend Gjyshnica, i cili do të zëvendësoj Sabri Kiçmarin.
Siç mëson Dukagjini, ky i fundit është dekretuar nga shefja e shtetit, Justina Shiroka Pula kurse katër kandidat të tjerë janë në pritje.
Por, ky s’është i vetmi emër nga LVV që do ta përfaqësoj Kosovën.
Ambasador në Kanada është propozuar edhe Getoar Mjeku, aktualisht zëvendësministër i Ekonomisë.
Bardhyl Dobra, ish-zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është propozuar për ambasador të Kosovës në Senegal.
Hasinje Iljasi qe ishte në krye të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, pas dekretimit pritet ta zëvendësoj në Kroaci, ambasadorin Martin Berishaj, që vazhdon të jetë nën hetime për disa afera korruptive.
Agron Bajramin që deri tani qe ambasador në Belgjikë e Luksemburg do ta zëvendësoj Fatmir Curri, i cili megjithatë nuk ka lidhje me partinë në pushtet, një emër i njohur i shoqërisë civile për integrime evropiane.
Por, problematike këto emërime po i vlerëson Drejtori ekzekutiv i "Sbunker”, Fitim Gashi.
“Këto emërime politike po vazhdojnë ta përcjellin edhe këtë qeveri, vetëm se duhet ndarë që sipas ligjit mund të bëhen emërimet me çelës politik dhe të karrierës. Tek ato me çelës i takon partisë në pushtet t’i përzgjedh ata që mendojnë se mund ta kryejnë punën si duhet por këta emra që po raportohet janë emra që kanë pas pozita nga partia në pushtet”, u shpreh Gashi.
Por a pritet që presidentja të refuzoj emrin e ndonjërit nga kandidatët?
“Përvojat e kaluara na ka dëshmuar që presidentja nuk ka bërë refuzimin e ndonjë emri apo kandidatura që i kanë shkuar nga ana e qeverisë sepse ata edhe janë intervistuar nga ana e komisionit parlamentar por që nuk e kanë ndalur emërimin e tyre”, tha Gashi.
Ndërkohë as nga Ministria e Punëve të Jashtme e as nga Presidenca nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës për këtë çështje.
Sipas ligjit 50 përqind e emërimeve për ambasadorë duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.















