E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Dëshmia që pritet të “shkundë” themelet e politikës, Altin Dumani shkon në Vjenë dhe merr në pyetje Mirel Mërtirin
Lajme

Dëshmia që pritet të “shkundë” themelet e politikës, Altin Dumani shkon në Vjenë dhe merr në pyetje Mirel Mërtirin

Një zhvillim i ri raportohet në hetimet për dosjen e inceneratorëve. Prokurori i posaçëm Altin Dumani dyshohet se ka udhëtuar drejt Vjenës, ku, i shoqëruar nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka marrë në pyetje biznesmenin Mirel Mërtiri.

Ky i fundit konsiderohet një prej personave kyç në hetimet për aferën e inceneratorëve dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në shkurt të vitit 2023, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK.

Informacioni për marrjen në pyetje në Austri nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme. E pyetur lidhur me praninë e Dumanit në Vjenë dhe veprimet e pretenduara hetimore ndaj Mërtirit, SPAK ka zgjedhur të mos japë një përgjigje konkrete.

Në përgjigjen drejtuar redaksisë që kërkoi informacion, institucioni iu referua neneve 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, të cilat parashikojnë ruajtjen e sekretit hetimor dhe kufizimet për publikimin e akteve të hetimit paraprak.

SPAK bëri të ditur se, për këtë arsye, nuk mund të konfirmojë apo të mohojë kryerjen e veprimeve konkrete hetimore.

Për momentin, mbetet e paqartë se për çfarë çështjesh është pyetur Mërtiri, çfarë deklarimesh ka dhënë dhe nëse veprimi lidhet me procedimin penal për inceneratorin e Tiranës apo me një tjetër fraksion të hetimeve.

Dyshimet për pagesa ndaj politikanëve

Interesi për dëshminë e mundshme të Mërtirit është shtuar pas raportimeve të mëparshme se biznesmeni kishte dhënë një intervistë për një televizion austriak, ku pretendohet se kishte folur për pagesa ndaj politikanëve shqiptarë.

Megjithatë, përmbajtja e plotë e këtyre deklarimeve dhe pretendimet për përfshirjen e personave të tjerë nuk janë bërë publike në mënyrë të verifikueshme.

Gjurma financiare e dosjes së inceneratorëve

Mirel Mërtiri është një nga personat e akuzuar nga SPAK në kuadër të hetimeve për inceneratorët. Në nëntor 2022, ndaj tij u ngritën akuza për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me inceneratorin e Elbasanit.

Ndërkohë, për çështjen e inceneratorit të Tiranës, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 12 persona dhe dy shoqëri tregtare. Procedimi përfshin akuza për mashtrim, pastrim parash dhe veprimtari në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK-ut, Mërtiri dhe Klodian Zoto ishin pronarët faktikë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV”.

Nga lidhja e kontratës koncesionare në gusht të vitit 2017 deri në sekuestrimin e kompanisë në vitin 2023, kjo shoqëri kishte siguruar të ardhura mbi 11.3 miliardë lekë, ndërsa investimi për ndërtimin e objektit ishte rreth 21 milionë euro.

Prokuroria pretendon se përmes faturave fiktive, kompanive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe transfertave në para fizike, nga llogaritë e shoqërisë janë nxjerrë rreth 1.28 miliardë lekë dhe 16.67 milionë euro.

Pavarësisht dërgimit për gjykim të një pjese të çështjes, hetimet vijojnë në procedimin e ndarë penal nr. 255/3, me qëllim identifikimin e fakteve të tjera penale dhe personave përgjegjës për dhënien dhe zbatimin e kontratës koncesionare.

Mbetet për t’u parë nëse marrja në pyetje e raportuar në Vjenë do të sjellë zhvillime të reja në këtë dosje dhe nëse deklarimet e Mërtirit do të hedhin dritë mbi persona apo veprime të tjera që po hetohen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.