Katër persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Pejë. Sipas raportimeve të mediave, në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-vjehrra e saj, Nurije Sylaj, e dyshuar për shtytje në kryerjen e vrasjes, si dhe ish-kunati Driton Sylaj.
Arlinda Zekaj u vra nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ai u arrestua më 27 tetor në Deçan, pas dy ditësh në arrati.
Ndërkohë, ish-bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, u arrestua mbrëmjen e 25 tetorit në Pejë, pasi Arlinda e kishte denoncuar në polici për kanosje dhe shkelje të urdhrit të mbrojtjes. Më 27 tetor, gjykata i caktoi masën e paraburgimit.
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt nxiti reagime të shumta publike dhe protesta në vend, ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi institucionale për mosparandalimin e krimit.
Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe kishte pasur urdhër mbrojtës, ndërsa tri ditë para se të vritej i ishte drejtuar edhe kryeprokurores së Pejës duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj.

























