Pianistja shqiptare Greisi Voja debuton në Carnegie Hall, fiton çmimin e parë për të dytin vit radhazi

Pianistja shqiptare Greisi Voja ka shënuar një sukses të rëndësishëm në karrierën e saj muzikore, duke debutuar në skenën prestigjioze të Carnegie Hall në New York, pasi fitoi çmimin e parë në kategorinë Soloiste në garën ndërkombëtare NY Classical Debut Awards për të dytin vit radhazi.
Artistja shqiptare u ngjit në skenën e Weill Recital Hall më 14 nëntor 2026, gjatë koncertit gala të organizuar nga kjo garë, ku interpretoi pjesën e katërt, “Presto con fuoco”, nga Sonata për piano nr. 18 në Mi bemol madhor, Op. 31, nr. 3, e kompozitorit të njohur Ludwig van Beethoven.
E lindur në Tiranë dhe me vendbanim të përhershëm në Fier, Greisi Voja kishte fituar çmimin e parë në të njëjtën garë edhe në vitin 2025, por atëherë nuk kishte mundur të pranonte ftesën për të performuar në Carnegie Hall, për shkak të pjesëmarrjes në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës në Saarburg të Gjermanisë.
Fitorja e dytë në vitin 2026 i dha mundësinë që ta realizonte këtë synim, shkruan Einpresswire.com
Voja ka përfunduar studimet bachelor në Performancë Pianistike në Universitetin e Gjeorgjisë Veriore në vitin 2025, me rezultate të shkëlqyera, ndërsa aktualisht është duke përfunduar studimet master në të njëjtën fushë në Georgia State University, ku pritet të diplomohet në maj të vitit 2027, transmeton Telegrafi.
Gjatë vitit 2026, pianistja shqiptare ka fituar edhe çmime të tjera ndërkombëtare, përfshirë vendin e parë në Charleston International Music Competition, si dhe është vlerësuar në garat Medici International Music Competition, Global International Music Competition dhe Royal Resonance International Music Competition.
Përveç karrierës si pianiste solo, ajo angazhohet edhe si shoqëruese pianistike dhe mësimdhënëse e muzikës në Atlanta të SHBA-së.
Aktualisht, po përgatitet për aplikim në programet e doktoratës në muzikë, duke synuar zgjerimin e karrierës së saj në skenat ndërkombëtare.
Debutimin në Carnegie Hall, Greisi Voja e ka cilësuar si realizimin e një ëndrre të kahershme dhe një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik./Telegrafi/











































