Një vendim për parashkrimin e dënimit ka ndërprerë procesin e ekstradimit nga Britania e Madhe të Sabri Sopotit, 60 vjeç, i dënuar në Shqipëri me 24 vite burg për vrasje me paramendim. Pas arrestimit në veri të Londrës, autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndërprerjen e procedurave të ekstradimit, pasi një gjykatë në Dibër ka vendosur në fillim të nëntorit 2026 se dënimi është parashkruar.
Sopoti u arrestua në qershor të këtij viti nga oficerët e Njësisë Kombëtare të Ekstradimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), në një banesë në veri të Londrës. Ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare pas vendimit të Gjykatës së Dibrës në vitin 2000, që e dënoi me 24 vite burg për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Dokumenti i Gjykatës së Ekstradimeve në Londër, siguruar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, konfirmon ndërprerjen e procesit me kërkesë të shtetit shqiptar. Shkak është bërë vendimi i gjykatës në Dibër, e cila në fillim të nëntorit 2026 ka konstatuar parashkrimin e dënimit.
Sipas policisë shqiptare, ngjarja për të cilën u dënua Sopoti ndodhi më 12 dhjetor 1999. Ai dyshohet se përdori një armë automatike të tipit “Scorpion” për të vrarë Bajram Kuckën në një lokal në Dibër.
Pas ngjarjes, Sopoti u largua drejt Britanisë së Madhe, ku kërkoi azil duke përdorur identitetin e rremë Zenel Bytyqi. Sipas të dhënave të bëra publike, ai përfitoi azil dhe më pas shtetësinë britanike me këtë identitet, duke jetuar në vend për rreth 27 vjet pa u identifikuar.
Ndërprerja e procedurave të ekstradimit do të thotë se ai nuk do të kthehet në Shqipëri për të vuajtur dënimin e dhënë në vitin 2000, pas vendimit për parashkrimin e tij.

