Vetëm pak kohë pas plagosjes me thikë të një punonjësi fast-food-i nga një 17-vjeçar, një tjetër episod shqetësues është regjistruar në qytetin e Fierit. Një person është filmuar duke lëvizur me një mjet prerës në dorë në hyrje të pedonales, pranë zonës ku ndodhi edhe ngjarja e mëparshme.
Pamjet tregojnë personin duke mbajtur thikën në një hapësirë publike, të frekuentuar nga qytetarët. Deri më tani nuk dihet identiteti i tij, nëse ka qenë i përfshirë në ndonjë konflikt apo nëse rasti është denoncuar në polici.
Dy episodet, të ndodhura në një hark të shkurtër kohor, kanë shtuar shqetësimet për sigurinë në hapësirat publike të qytetit.
Më herët, një 17-vjeçar plagosi me thikë një punonjës të një fast-food-i në Fier, pas një konflikti mes tyre. Ndërkohë, qyteti u trondit edhe nga vrasja e Selami Hasanit dhe nipit të tij, Jakup Hasani, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.

