Burgim të përjetshëm ka marrë 41-vjeçari Pandeli Nakoleci, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, 36-vjeçares Marjola Nakoleci, në Volos të Greqisë.

Vendimi është dhënë unanimisht nga Gjykata e Përzier Penale e Trikalave, pas përfundimit të procesit gjyqësor më 23 nëntor. Përveç burgimit të përjetshëm për vrasjen, gjykata i ka vendosur edhe një vit burg për armëmbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.

Gjykata e shpalli fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë psikike, duke rrëzuar pretendimet e mbrojtjes se krimi ishte kryer në një gjendje të fortë emocionale. Po ashtu, nuk u pranuan pretendimet për përgjegjësi të reduktuar psikike dhe as rrethanat lehtësuese të kërkuara nga mbrojtja.

Marjola, nënë e katër fëmijëve, u vra më 22 gusht 2025, në hyrje të pallatit ku jetonte familja në Volos. Sipas raportimeve të mediave greke, 41-vjeçari e sulmoi me një objekt të mprehtë, duke i shkaktuar plagë të shumta, ndërsa një goditje në zemër rezultoi fatale.

Procesi gjyqësor u zhvillua në një atmosferë të rënduar. Në sallën e gjyqit ishin edhe katër fëmijët e çiftit, të moshave 19, 17, 14 dhe 6 vjeç. Ata ndoqën procesin, por nuk u morën në pyetje si dëshmitarë.

Sipas akuzës, pretendimet e Nakolecit për një gjendje të fortë emocionale dhe për një konflikt të çastit nuk u mbështetën nga provat e shqyrtuara gjatë procesit. Gjykata pranoi unanimisht qëndrimin e prokurorisë për dënimin e tij për vrasje me dashje në gjendje të qetë psikike.

Avokatja e familjes së Marjolës, Antonia Ballous, e cilësoi vendimin si një drejtësi për viktimën, fëmijët dhe familjen e saj.