“Sputnik-S” kundër Starlink: Çfarë ndodh kur një armë bërthamore shpërthen në hapësirë?
Më 23 nëntor kishte raportime se Rusia po planifikon të lëshojë në hapësirë një satelit të pajisur me armë bërthamore, të quajtur Sputnik-S, “në çdo moment gjatë javëve të ardhshme”, pasi për vite të tëra ka pasur dyshime se një armë e tillë është mbajtur në rajonin e Moskës.
Kremlini i mohoi shpejt këto pretendime, në një kohë kur po shtohen shqetësimet për militarizimin e hapësirës.
Tomas Nagy, studiues i lartë në GLOBSEC, një institut sllovak që merret me hulumtime në fushën e sigurisë, i tha Radios Evropa e Lirë se provat për zhvillimin nga Rusia të një arme bërthamore, të aftë për t’u përdorur në hapësirë, mbeten të pakta. Megjithatë, nëse një armë e tillë është zhvilluar, ajo mund të nxjerrë jashtë funksionit një numër të madh satelitësh, përfshirë konstelacionin Starlink.
“Ajo nuk do t’i shkatërronte domosdoshmërish të gjithë satelitët, por ndikimi do të ishte pa dallim: anijet kozmike perëndimore, ruse, kineze dhe të vendeve të tjera mund të preken nga fuqia shkatërruese e fizikës dhe rrezatimit”, tha ai.
Ndikimi i një shpërthimi bërthamor në lartësi të madhe vjen kryesisht nga impulsi elektromagnetik (EMP), i cili përhapet nga shpërthimi bërthamor me shpejtësinë e dritës, duke dëmtuar sistemet elektrike në rrugën e tij. Rrezatimi që mbetet më pas në orbitë mund të dëmtojë më shumë komponentët delikatë të satelitëve.
Victoria Samson, drejtoreshë ekzekutive për sigurinë dhe stabilitetin në hapësirë në Fondacionin Secure World, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Shtetet e Bashkuara, tha se në rast të një shpërthimi bërthamor në lartësi të madhe, një numër i madh satelitësh që ndodhen në vijën e drejtpërdrejtë të shpërthimit do të dëmtoheshin ose do të dilnin plotësisht jashtë funksionit.
“Shumica e satelitëve nuk janë të mbrojtur nga rrezatimi bërthamor, prandaj për shembull, nëse e merrni internetin përmes Starlink, kjo ka gjasa të mos jetë më një mundësi në këto rrethana”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ukraina varet shumë nga sistemi amerikan Starlink për koordinimin e forcave të saj në fushëbetejë, gjatë pushtimit që Rusia nisi ndaj Ukrainës më 2022.
Në tokë, i njëjti impuls elektromagnetik do të shkatërronte sistemet elektrike në zona të gjera, me pasoja që janë të panjohura.
Si SHBA-ja, ashtu edhe Bashkimi Sovjetik shpërthyen armë të fuqishme bërthamore në hapësirë gjatë provave të vitit 1962. Këto shpërthime shkaktuan dëme të paparashikuara në tokë dhe çuan në ndalimin e provave të mëtejshme.
Testi më i fuqishëm bërthamor amerikan në lartësi të madhe, e koduar me emrin Starfish Prime, u krye më 9 korrik 1962, rreth 400 kilometra mbi Oqeanin Paqësor.
Në ishujt amerikanë të Havait, më shumë se 1.200 kilometra larg vendit të shpërthimit, rrugët u zhytën në errësirë pasi dritat e rrugëve u fikën. Sirenat për sulme ajrore filluan të binin vetvetiu, ndërsa në qindra sisteme alarmi kundër vjedhjeve në Honolulu u aktivizuan. Disa nga dhjetëra satelitët që ndodheshin në orbitë në atë kohë u dëmtuan ose dolën jashtë funksionit nga shpërthimi, përfshirë satelitin e parë britanik, Ariel 1.
Disa muaj më vonë, në Bashkimin Sovjetik, shkencëtarët që vëzhgonin qiellin mbi Kazakistanin sovjetik panë atë që njëri prej tyre e përshkroi si “një diell të dytë”, i cili ndriçoi për pak çaste mbi ta.
Shpërthimi erdhi nga një test sovjetik i armëve bërthamore, i projektuar për të studiuar ndikimin e shpërthimeve në lartësi të mëdha në sistemet e mbrojtjes antiraketore dhe të komunikimit. Bomba ishte 20 herë më e fuqishme se ajo që shkatërroi Hiroshimën.
Vëzhguesit në Kazakistan nuk ndien asgjë dhe nuk dëgjuan ndonjë shpërthim, por impulsi elektromagnetik i bombës shkatërroi sistemet elektrike në zonë. Linjat e energjisë elektrike lëshuan shkëndija dhe u dogjën, telsa kabllot e tyre ranë në tokë. Gjithashtu, një zjarr shpërtheu brenda një nënstacioni elektrik.
Shpërthimi elektromagnetik nxori jashtë funksionit edhe një kabllo elektrike që gjendej rreth një metër nën tokë, e cila furnizonte me energji elektrike dy qytete. Shumë nga pasojat e testeve sovjetike me impulse elektromagnetike nuk janë bërë kurrë publike.
Në vitin 1963, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik ratifikuan Traktatin për Ndalimin e Pjesshëm të Testeve Bërthamore, i cili ndalonte shpërthimin e armëve bërthamore në hapësirë. Një traktat i mëvonshëm ndaloi vendosjen e tyre në orbitë.
Sot, mbetet e paqartë se çfarë ndikimi do të kishte një armë e tillë në infrastrukturën moderne, e cila varet shumë më tepër nga sistemet delikate elektronike sesa ajo e viteve ‘60, si dhe në mijëra satelitët aktivë që rrotullohen rreth Tokës.
“Në esencë, nëse do të kishim sot një tjetër shpërthim si Starfish Prime, ndikimi në orbitën e ulët të Tokës do të ishte edhe më i madh sepse atje ka shumë më tepër satelitë dhe ata varen shumë më tepër nga komponentët elektronikë sesa në vitet ‘60”, tha Samson.
Një raport i vitit 2010 mbi dëmet e mundshme që një sulm me impuls elektromagnetik mund t’u shkaktonte satelitëve, arriti në përfundimin se “parashikohen pasiguri me një magnitudë prej një deri në dy shkallë”, për shkak të mungesës së të dhënave moderne për impulset elektromagnetike.
Në një samit të mbajtur së fundmi në Nju Jork, Palmer Luckey, prodhues amerikan i armëve, bëri thirrje për rifillimin e testeve bërthamore, kryesisht për të studiuar ndikimin e impulseve elektromagnetike në infrastrukturën moderne.
Ai përmendi edhe si arsye të dhënat e vjetra që janë mbledhur gjatë testeve bërthamore të kryera dekada më parë.
“Në rast të një sulmi me impuls elektromagnetik, ne nuk e dimë realisht se çfarë do të ndodhë me telefonat tanë, infrastrukturën tonë kritike apo ushtrinë tonë”, tha ai./rel




