Shiroka Pula në pritjen për 28 Nëntorin: Kjo ditë bashkon historinë, sakrificën dhe identitetin tonë kombëtar
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit.
Siç bën të ditur Presidenca, gjatë fjalës së saj, Shiroka Pula ka thënë se kjo datë përfaqëson katër ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar: Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka rikujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, duke veçuar kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin.
Presidentja ka theksuar se flamuri kuq e zi, me shqiponjën dykrenare, përfaqëson simbolin e shtetit shqiptar dhe të gjithë kombit shqiptar, ndërsa në Kosovë u bë edhe simbol i qëndresës dhe luftës çlirimtare.
Duke folur për sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e UÇK-së, Shiroka Pula ka thënë se ajo ishte luftë për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë në vendin e vet.
Ajo është ndalur edhe te procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo.
Në këtë pritje, Shiroka Pula ka përgëzuar Shqipërinë për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke shprehur urimin që flamuri kuq e zi së shpejti të valëvitet edhe në Bruksel.
Në fund, ajo ka bërë thirrje për forcimin e lidhjeve dhe integrimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe kujtesës historike.
“Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”, ka thënë Shiroka Pula.















