Microsoft ka shpallur nivelin më të lartë të alarmit brenda kompanisë, të njohur si “Code Red”, pas ndërprerjes së paprecedentë të shërbimeve Outlook dhe platformave të tjera për rreth 24 orë.

Problemi i regjistruar më 12 dhe 13 nëntor preku miliona përdorues në mbarë botën, duke shkaktuar ndërprerje në Outlook, Teams, Copilot dhe Exchange Online. CEO i kompanisë, Satya Nadella, kërkoi falje publikisht për situatën. Sipas vlerësimeve paraprake të Microsoft, shkaku lidhet me një përditësim problematik të Windows, të prezantuar në korrik. Kompania ka përjashtuar mundësinë e një sulmi kibernetik.

Sipas mediave, mungesa e dokumentacionit të centralizuar vështirësoi koordinimin mes inxhinierëve, të cilët shkëmbyen mbi 10 mijë mesazhe për të menaxhuar situatën. Pas incidentit, drejtuesit e Microsoft synojnë të shkurtojnë kohën e zgjidhjes së problemeve madhore nga 5-6 ditë në vetëm një orë, duke zgjeruar edhe përdorimin e inteligjencës artificiale.