Vrau bashkëshorten në sy të fëmijëve, shqiptari dënohet me burgim të përjetshëm në Greqi

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.11.2026, 21:11

Shqiptari Pandeli Nakoleci është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia greke, pasi vrau bashkëshorten e tij, 36-vjeçaren Marjola Nakoleci, në gusht të vitit 2025, në qytetin e Volosit.

Vendimi u dha nga Gjykata e Jurisë së Përzier në Trikala, e cila e shpalli unanimisht fajtor 41-vjeçarin për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë psikologjike. Përveç burgimit të përjetshëm, gjykata i dha edhe një vit burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.

Gjatë procesit gjyqësor, Nakoleci u përpoq të justifikonte veprimin e tij me pretendimin se kishte zbuluar një tradhti bashkëshortore dhe se në momentin e krimit nuk kishte qenë në gjendje të qetë psikologjike. Megjithatë, gjykata nuk i pranoi këto pretendime, duke rrëzuar edhe kërkesën e mbrojtjes për përgjegjësi të reduktuar mendore dhe njohjen e rrethanave lehtësuese.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 gusht 2025, në hyrje të pallatit ku jetonte familja, në rrugën Konstantas në Volos. Nakoleci sulmoi me një mjet të mprehtë, pjesë e një seti për pjekje, bashkëshorten e tij, duke e goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit. Goditja fatale ishte ajo në kraharor, ndërsa 36-vjeçarja nuk mundi t'u mbijetonte plagëve.

Krimi ndodhi në prani të fëmijëve të çiftit, të cilët u përballën me skena të tmerrshme. Pas vrasjes, shqiptari u largua nga vendngjarja dhe u fsheh për rreth 30 orë, derisa u lokalizua dhe u arrestua nga policia, në një parking rreth 200 metra larg banesës.

Një tjetër moment i rëndë ishte edhe seanca gjyqësore, ku të katër fëmijët e çiftit, tashmë 19, 17, 14 dhe 6 vjeç, ndoqën procesin ndaj babait të tyre. Sipas mediave greke, gjatë gjithë seancës ata nuk shkëmbyen asnjë fjalë me të atin.

Me vendimin unanim, gjykata rrëzoi përpjekjet e mbrojtjes për një dënim më të lehtë, duke i dhënë Nakolecit dënimin maksimal për vrasjen e bashkëshortes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit