Microsoft ka shpallur gjendjen e alarmit “Kodi i Kuq”, nivelin më të lartë të emergjencës brenda kompanisë, pas ndërprerjes masive që la miliona përdorues pa akses në Outlook dhe shërbime të tjera të rëndësishme për rreth 24 orë.

Ndërprerja e 12 dhe 13 nëntorit preku miliona përdorues të Outlook, Teams, Copilot dhe Exchange Online në të gjithë botën.

Kompania dyshon se shkaku i problemit lidhet me një përditësim të gabuar të Windows, të prezantuar në korrik. Ndërkohë, Microsoft ka përjashtuar mundësinë që ndërprerja të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik apo nga agjentë të inteligjencës artificiale.

Reuters, duke iu referuar komunikimeve të brendshme të kompanisë, raporton se një prej problemeve kryesore ishte shpërndarja e dokumentacionit teknik, gjë që e bëri të vështirë koordinimin mes inxhinierëve gjatë përpjekjeve për rikthimin e shërbimeve.

Ata u detyruan të shkëmbenin më shumë se 10,000 mesazhe për të sqaruar se si do të reagonin, thuhet në artikull.

Pas kësaj situate, drejtuesit e Microsoft kanë kërkuar ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si kompania reagon ndaj defekteve teknologjike.

Drejtori operativ synon që koha e nevojshme për zgjidhjen e problemeve të reduktohet në vetëm një orë, nga pesë deri në gjashtë ditë që mund të kërkohet aktualisht.

Për të arritur këtë objektiv, Microsoft planifikon të zgjerojë përdorimin e inteligjencës artificiale në identifikimin, analizimin dhe zgjidhjen e problemeve teknike.