Policia greke ka zbardhur një pjesë të konsiderueshme të hetimeve për ekzekutimin mafioz të 52-vjeçarit Nikos Gavanozi, i njohur në qarqet kriminale me nofkën “Papagalli”, i cili u vra më 11 tetor 2026 në Glyfada të Athinës.
Në kuadër të hetimeve, një 48-vjeçar është arrestuar, ndërsa një tjetër person, shtetas shqiptar nga Saranda, është shpallur në kërkim.
Sipas mediave greke, shqiptari i shpallur në kërkim i identifikuar si Eduart Qendrothanasi dyshohet se ka pasur rol në organizimin dhe realizimin e atentatit, duke qenë drejtuesi i motorit me të cilin autorët iu afruan viktimës dhe u larguan pas ekzekutimit.
Ndërkohë, policia ka arrestuar një 48-vjeçar grek në Agrinio, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorët pas vrasjes. Sipas hetimeve, ai i ka pritur në zonën e Kerateas, pasi ata kishin braktisur motorin e përdorur në atentat, dhe më pas i ka transportuar me automjet për t’u larguar nga zona.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga autoritetet greke, u gjet motori i përdorur në vrasje, i cili ishte çmontuar dhe fshehur në një banesë. Gjithashtu, u sekuestruan automjete, pajisje elektronike dhe një kaskë që dyshohet se është përdorur nga njëri prej personave të përfshirë në atentat.
Hetimet e policisë greke vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e shqiptarit të shpallur në kërkim, si dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në organizimin e ekzekutimit.













