SPAK heton familjarët e Elisa Spiropalit, Klodiana Lala zbulon detaje: Në lupë edhe roli i ish-ministres
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar një kallëzim penal ndaj familjarëve të Elisa Spiropalit.
Por çfarë janë këto hetime? Lidhur me këtë pyetje, gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus.
Lala tha se ndaj familjarëve të Spiropalit po hetohet për pastrim parash, korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera. Po ashtu, Lala tha se në lupë është edhe roli i Elisa Spiropalit, nëse ka pasur rol apo jo në transaksionet e kryera dhe në shkeljet e barazisë në tendera.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Ndaj Elisës dhe familjarëve të saj ka nisur një hetim, çfarë po hetohet?
Lala: Unë mendoj që modeli i Spiropalizmit në politikë është më i shëmtuari. Por, pavarësisht kësaj, edhe pse Spiropali ka qëndruar në poste të rëndësishme, fakti që ajo po flet tregon se si janë deformuar partitë politike. SPAK ka çelur një hetim penal për veprat penale që përfshijnë Elisa Spiropalin, bashkëshortin Salarjon Totaj dhe dy kunatat e saj, për korrupsion, fshehje pasurie dhe shkelje të barazisë në tendera. Ka pasur një hetim të detajuar. Ka pasur kontrolle nga tatimet te bizneset e zonjës Spiropali. Ka të dhëna edhe për disa tendera në Ujësjellësin e Kanalizimeve në Fier, ku ky institucion drejtohej nga bashkëshorti i zonjës Spiropali.
Ende nuk kemi persona nën hetim. Burime nga SPAK bëjnë me dije se po hetohet edhe zonja Spiropali. Në SPAK po kalon në shqyrtim një biznes i Salarjon Totajt, një restorant në zonën e ish-Bllokut, ku prokurorët po hetojnë për pastrim parash, pasi biznesi nuk mund të gjeneronte aq shumë të ardhura sa dalin nga hetimet paraprake.
Hetimi ka filluar në muajin gusht. Është dashur kohë që SPAK të pranonte se ka vepër penale dhe se ka vend për të hetuar edhe ndaj zonjës Spiropali. Në rastin konkret, dyshimet janë se në këtë veprimtari është e përfshirë edhe zonja Spiropali.
Një tjetër element është një kompani tjetër, Solomon Construction, që është themeluar nga Enki Spiropali, vëllai i Elisës. Kjo kompani ka fituar tendera në UKF, kur ky institucion drejtohej nga Salarjon Totaj. Janë duke u parë jo vetëm favorizimet në tendera, por edhe konflikti i interesit, për sa kohë një familjar i Spiropalit duhet të deklaronte fillimisht konfliktin e interesit.
Momenti i tretë që po vlerësohet ka të bëjë me një ullishte prej 19 hektarësh në zonën e Patosit, që është marrë për 19 vjet nga ana e familjes së zonjës Spiropali.
Hetimet mund të tregojnë një panoramë tjetër. Duhet thënë se në këto momente që po diskutojmë, në kontekstin e përplasjes mes Ramës, Spiropalit dhe Ballukut, prokurorët e SPAK kanë sekuestruar një mori dokumentesh që kanë lidhje me familjarët e zonjës Spiropali.
Në kallëzim nuk kërkohet vetëm hetimi i zonjës Spiropali, por edhe i disa emrave të tjerë. Po shihet roli i tyre dhe marrëdhënia e tyre me Elisa Spiropalin. Hetimet sapo kanë nisur. Regjistrimi i procedimit është bërë në fund të muajit tetor. Është një çështje që do të marrë kohën e saj, për të parë nëse pretendimet e ngritura në hetim qëndrojnë apo jo.




