Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, thotë se nga territori i Shqipërisë nuk është kryer dhe as autorizuar asnjë sulm ndaj Rusisë, duke i cilësuar lajmet që lidhin vendin tonë me goditjen e një anijeje ruse në brigjet e Libisë si pjesë të një fushate dezinformimi. I ftuar në emisionin “Real Story”, Nufi tha se sulmi ndaj anijes ruse në brigjet e Libisë, pranë Bengazit, u mor përsipër nga Ukraina dhe u realizua me dronë nënujorë, të cilët, shtoi ai, Shqipëria nuk i zotëron.
“Shqetësuese ishte lidhja me kryerjen e sulmit nga territori i Shqipërisë. Kjo goditje nga Ukraina është kryer me anë të dronëve ujorë, që Republika e Shqipërisë nuk i posedon. Por edhe nëse do t’i kishim dronët, nuk do të vepronim pa pasur një komunikim me Aleancën. Rrjedhimisht, çdo veprim i tillë i pretenduar ishte lajm i rremë”, u shpreh Nufi.
Ai vuri në dukje se pretendimet u shpërndanë më tej edhe nga portale turke, ndërsa paralajmëroi për shtimin e fushatave të dezinformimit dhe ndikimin e tyre në sigurinë rajonale. Nufi iu referua edhe pretendimeve për ndryshimin e kufijve dhe përpjekjeve të Rusisë që disa shtete të largohen nga NATO, mes tyre Shqipëria, Moldavia dhe vendet baltike.
“Situata në luftën në Ukrainë ka precipituar, pasi stabiliteti në Ukrainë është i lidhur me stabilitetin në rajon. Është një situatë tejet shqetësuese, që nga dita në ditë ka marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha”, u shpreh ministri.
Duke iu referuar incidenteve të raportuara në kufirin me Estoninë dhe denoncimeve të autoriteteve estoneze për aktivitetin rus, Nufi tha se po zhvillohet një fushatë që synon të krijojë një perceptim shqetësues për sigurinë në Evropë. “Incidente të vogla mund të bëhen shkaqe për agravime”, theksoi ministri, duke nënvizuar rrezikun që dezinformimi të ndikojë në përshkallëzimin e situatave ndërkombëtare.
