Një tragjedi e rëndë familjare ka ndodhur në qytetin Las Cruces, në New Mexico të SHBA-së, ku katër persona të së njëjtës familje janë gjetur të pajetë në banesën e tyre.

Ngjarja u zbulua më 19 nëntor, pasi një e afërme e familjes njoftoi policinë, e shqetësuar për mungesën e komunikimit me banorët e shtëpisë. Kur efektivët mbërritën në adresën në Lunetta Court, gjetën katër trupa me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Sipas dyshimeve të autoriteteve, 28-vjeçari Marcus Reyes Sr. ka vrarë bashkëshorten e tij, Alayna Reyes, 28 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre të mitur, Marcus Jr., 8 vjeç, dhe Anastacia, 6 vjeçe. Pas ngjarjes, ai dyshohet se ka qëlluar edhe veten.

Policia po e heton rastin si një vrasje të trefishtë të ndjekur nga vetëvrasja e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, pas tragjedisë, familjarët kanë nisur një fushatë bamirësie në platformën GoFundMe për të ndihmuar financiarisht nënën e Alayna-s. Nismën e ka ndërmarrë tezja e viktimës, Kim Vallejos, e cila kërkon mbështetje për përballimin e shpenzimeve të menjëhershme dhe nevojave të familjes.

Deri më 24 nëntor, fushata kishte siguruar afro 25 mijë dollarë.

Në mesazhin e saj, Vallejos e cilësoi humbjen si të papërballueshme për familjen, duke theksuar se Alayna dhe dy fëmijët e saj ishin shumë të dashur dhe do të mbeten gjithmonë në kujtesën e të afërmve.

Ndërsa familjarët përpiqen të përballojnë dhimbjen e kësaj humbjeje, autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.