Kanë përfunduar 45 minutat e para në ndeshjet e mbrëmjes për javën e pestë të Champions League, ku nuk kanë munguar golat dhe surprizat. Vëmendjen kryesore e ka marrë përballja në “Santiago Bernabeu”, aty ku PSV Eindhoven po fiton 0-1 ndaj Real Madridit.
Skuadra holandeze kaloi në avantazh në minutën e 32-të, kur Ivan Perisic u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. 11-metërshi u akordua pas një faulli të Aurelien Tchouamenit ndaj Sven Mijnans, duke i dhënë avantazhin miqve në Madrid.
Ndërkohë, Leipzig po dominon ndaj Lens në “Red Bull Arena”, me rezultatin 2-0. Gjermanët goditën që në minutat e para, fillimisht me David Raum, i cili në minutën e 6-të shënoi nga goditja e dënimit, me topin që u devijua nga muri kundërshtar. Vetëm tre minuta më vonë, Antonio Nusa përfitoi nga një gabim i rëndë i mbrojtjes së Lens dhe dyfishoi shifrat.
Në “Emirates Stadium”, Arsenal po fiton 1-0 ndaj Borussia Dortmundit. Goli i vetëm i pjesës së parë mban firmën e Viktor Gyokeres, i cili në minutën e 10-të realizoi një goditje spektakolare nga distanca, duke kaluar londinezët në avantazh.
Avantazh minimal edhe për Porton në transfertën ndaj Feyenoordit. Portugezët gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e dytë me Victor Froholdt dhe e ruajtën epërsinë deri në përfundimin e pjesës së parë.
Pa gola është mbyllur fraksioni i parë në “Etihad”, ku Manchester City dhe Napoli nuk kanë arritur të zhbllokojnë rezultatin. E njëjta situatë edhe në sfidën mes Comos dhe AEK-ut, ku momenti më i rëndësishëm ishte penalltia e humbur nga Lucas da Cunha. Ky i fundit nuk arriti të mposhtte Thomas Strakoshën, duke e dërguar topin jashtë kuadratit.
Ndërkohë, Real Betis ka gjetur avantazhin në transfertën ndaj Slovan Bratislavës. Spanjollët realizuan në minutat e fundit të pjesës së parë me anë të Cucho Hernandez, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve në epërsi.
REZULTATET PAS 45 MIN:
- Real Madrid – PSV 0-1
- Leipzig – Lens 2-0
- Arsenal – Borussia Dortmund 1-0
- Feyenoord – Porto 0-1
- Manchester City – Napoli 0-0
- Como – AEK 0-0
- Slovan Bratislava – Real Betis 0-1
