Mbyllet maratona e diskutimeve në komisionet parlamentare për projektbuxhetin e vitit 2027, që parashikon shpenzime 976 miliardë lekë dhe të ardhura 907 miliardë lekë.

Komisioni i Ekonomisë i dha dritën jeshile dokumentit më të rëndësishëm ekonomik vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita ngriti dorën kundër me argumentin se nuk mbështet sektorët prioritarë dhe as familjet shqiptare. 

Demokratët thanë se bujqësia, industria dhe fasoneria janë në rënie, ndërsa projektbuxheti nuk parashikon masa konkrete për të mbështetur prodhimin.

"Kur vjen puna te sektorët me rëndësi të veçantë si është eksportuesit apo bujqësia asnjë mbështetje. U fol që është një projektbuxhet për familjet, por familja paguan më shumë se çdo gjë”, tha Bozdo.

"Fakti që do kemi nga janari TVSH të reduktuar për 54 produktet të shportës, nga 1 korriku 2027 bonus për bebe të ndryshuar mujor, pensione që do të dyfishohen. Do të jetë një ngjarje e rëndësishme për familjen shqiptare”, tha Ekonomi.

Pa prekur tavanet në shpenzime e të ardhura Komisioni i Ekonomisë vendosi të pranojë kërkesat e Komisioneve të tjera parlamentare për t’u dhënë buxhet shtesë 7 institucioneve, kryesisht të drejtësisë, me fond total prej 1.3 miliardë lekë, si dhe u shtuan 122 punonjës buxhetorë në sistemin e drejtësisë por edhe në administratën shtetërore.

Ndërsa propozimi i opozitës për më shumë para për ish të përndjekurit, u rrëzua.

Për vitin 2027, qeveria ka planifikuar 202 miliardë lekë investime publike, me fokus avancimin e një sërë projektesh rrugore, hekurudhore por edhe portuale. 24 miliardë lekë shkojnë për pensionistët, me dyfishimin e bonuseve dhe indeksimin në prill, si dhe financohet për herë të parë skema e re e bebeve, me pagesa deri në moshën 5 vjecare.

Ndërsa institucionet që marrin më shumë para janë Ministria e Shëndetësisë me 89.7 miliardë lekë, Ministria e Mbrojtjes me 76.6 miliardë lekë, ndjekur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me 75.45 miliardë lekë, e më tej ajo e arsimit me afro 68 miliardë lekë.

Projektbuxheti do të shqyrtohet dhe votohet përfundimisht në seancën plenare të enjten e 26 nëntorit në Kuvend.

INSTITUCIONET QË MARRIN MË SHUMË BUXHET 
KLGJ  +459 mln leke 95 punonjës 
Prokuroria e Përgjithshme +2 punonjës 
ILD +125.5 mln lekë
Kuvendi +100 mln lekë 
KQZ  +34 mln lekë 
KPP +5 punonjës dhe 40 mln lekë 
Autoriteti i konkurrencës +5 punonjës, +10  mln lekë 
INSTAT   +70 mln lekë
Ministria e Mbrojtjes vetëm rialokime buxhetore 
Ministria e Administratës Publike +15 punonjës
Ministria e Turizmit vetëm rialokime buxhetore
Pagat e Gardës +450 mln lekë