Siguria në internet/ Australia vendos projektligj, gjigantët e teknologjisë rrezikojnë gjoba mld dollarësh

Siguria në internet/ Australia vendos projektligj, gjigantët e teknologjisë rrezikojnë gjoba mld dollarësh

22:23, 24/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Australia ka arritur një marrëveshje politike për miratimin e një ligji të ri për sigurinë në internet, i cili parashikon gjoba deri në 5% të të ardhurave globale për kompanitë e mëdha të teknologjisë që nuk parandalojnë përmbajtjet e dëmshme në platformat e tyre. Sipas agjencisë Reuters, masat prekin kompani si Google dhe Meta, ndërsa ndryshimet u dakordësuan mes qeverisë laburiste dhe Partisë së Gjelbër. Tavani i mëparshëm i gjobave ishte 109 milionë dollarë australianë.

Sipas Associated Press (AP) dhe Al Jazeera, projektligji i quajtur “Digital Duty of Care” do t'i detyrojë platformat dixhitale të marrin masa parandaluese ndaj përmbajtjeve që nxisin vetëdëmtimin, dhunën me bazë gjinore, abuzimin seksual me fëmijët dhe materialet intime të publikuara pa pëlqim. Gjithashtu, qytetarët do të kenë të drejtën të padisin kompanitë për dëmet e shkaktuara në internet. Përdoruesit mbi 16 vjeç do të mund të çaktivizojnë edhe furnizimin me përmbajtje të rekomanduar nga algoritmet.

Ndërkohë, sipas The Guardian, ligji pritet të kalojë në Parlament gjatë kësaj jave, pas marrëveshjes mes laburistëve dhe të Gjelbërve. Nisma ka shkaktuar edhe kundërshtime nga Shtetet e Bashkuara, të cilat paralajmërojnë se përkufizimet e gjera të përmbajtjeve të dëmshme dhe gjobat e larta mund t'i shtyjnë platformat drejt censurimit të shprehjes së ligjshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco