Avokatët e Christa Pike, 50-vjeçares që i mbijetoi një ekzekutimi të dështuar në Tennessee, kanë kërkuar ndërhyrjen urgjente të gjykatës për një vlerësim të specializuar psikologjik rreth dy muaj pas procedurës. Në një kërkesë të paraqitur të hënën në një gjykatë në Nashville, ekipi ligjor kërkon që gjykata të urdhërojë Departamentin e Korrektimeve të Tennessee-t të lejojë dy ekspertë të pavarur të shëndetit mendor ta ekzaminojnë atë pa praninë e përfaqësuesve të institucionit. Bëhet fjalë për dy psikologë klinikë, njëri i specializuar në traumat komplekse dhe tjetri në torturë dhe trauma; avokati thekson se përmasat e plota të dëmtimeve të shkaktuara gjatë ekzekutimit “mbeten ende të panjohura”.
Departamenti i Korrektimeve kundërshton kërkesën. Në një email të përfshirë në dosjen gjyqësore, një përfaqësues ligjor argumenton se vizitat e propozuara “do të përbënin trajtim të vazhdueshëm, gjë që, siç është thënë më parë, është e ndaluar”. Komunikimi shton se departamenti është përgjegjës për administrimin e përgjithshëm të shërbimeve të shëndetit mendor për të burgosurit nën kujdesin e tij. Avokatët e Pike kanë kërkuar gjithashtu zhvillimin e një seance urgjente gjyqësore për shqyrtimin e çështjes.
Christa Pike u shtrua në spital pasi i mbijetoi dy dozave të pentobarbitalit gjatë ekzekutimit të planifikuar më 30 shtator për vrasjen e vitit 1995 të bashkëmoshatares së saj, Colleen Slemmer, e cila ishte rrahur dhe goditur me thikë. Pas procedurës së dështuar, gjendja e Pike ishte kritike; ajo u vendos në aparaturë për frymëmarrje artificiale dhe avokatët nuk prisnin që ajo të mbijetonte. Më vonë Pike u zgjua, nisi të fliste dhe të ecte me ndihmën e të tjerëve.
Duke folur për gjendjen e saj, Pike përshkroi pasojat e rënda fizike dhe psikologjike: “Dhimbja nuk është vetëm fizike. Ka dhimbje në mendjen time dhe në shpirtin tim. Po rikuperohem dhe e di se po bëhem më e fortë. Por shërimi nuk është e njëjta gjë si të jesh mirë.”
Pas dështimit të procedurës, guvernatori republikan i Tennessee-s, Bill Lee, urdhëroi një hetim për të zbuluar çfarë shkoi keq dhe pezulloi pa afat një tjetër ekzekutim të planifikuar gjatë këtij viti. Megjithatë, Lee më pas tha se nuk ishte i prirur të ndërhynte për të zbutur dënimin e Pike-s: “Ajo vazhdon të jetë e burgosur sipas ligjeve të shtetit të Tennessee-s” dhe ai dyshon se dënimi do të mbetet i njëjtë, përveçse kur gjykatat vendosin ndryshe. Beteja ligjore për të drejtën e Pike-s për ekzaminim nga ekspertë të pavarur pritet të vazhdojë, ndërsa pasojat afatgjata në shëndetin e saj fizik dhe mendor mbeten të paqarta.
