Autoritetet greke kanë zbardhur detaje të reja nga atentati mafioz ndaj 52-vjeçarit N. G., i cili u ekzekutua në orët e para të 11 tetorit 2026, pranë zonës së Golfit në Glyfada të Athinës. Në kuadër të hetimeve janë identifikuar dy persona të dyshuar për përfshirje në vrasje, mes tyre edhe një shtetas shqiptar.

Bëhet fjalë për dy 48-vjeçarë, një grek dhe një të huaj, që sipas mediave greke është shqiptar. Shtetasi grek u arrestua më 18 nëntor në Agrinio, ndërsa personi tjetër është shpallur në kërkim ndërkombëtar. I arrestuari akuzohet për bashkëpunim në vrasje me dashje dhe është lënë në burg pas daljes para gjykatës.

Si u krye atentati

Sipas hetimeve, autorët lëviznin me një motor dhe iu afruan viktimës, i cili po udhëtonte gjithashtu me motor. Njëri prej tyre hapi zjarr disa herë, duke bërë që 52-vjeçari të humbiste kontrollin dhe të rrëzohej në rrugë.

Por autorët nuk u larguan menjëherë. Ata dyshohet se u kthyen sërish pranë viktimës dhe qëlluan ndaj tij, përpara se të largoheshin nga vendngjarja.

Në vendin e atentatit policia sekuestroi 10 gëzhoja, ndërsa ekspertiza mjekoligjore konfirmoi se viktima kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta nga arma e zjarrit.

Pas ekzekutimit, dy autorët dyshohet se u drejtuan për në Keratea, ku fshehën motorin në një banesë të izoluar. Aty i priste 48-vjeçari grek, i cili dyshohet se i transportoi me automjet drejt një zone tjetër të Atikës.

Zbulohet motori i përdorur në vrasje

Gjatë kontrolleve të kryera në disa banesa, policia greke arriti të gjente motorin e përdorur në atentat. Mjeti ishte çmontuar dhe pjesët e tij ishin fshehur në vende të ndryshme, ndërsa blloku i motorit ende nuk është lokalizuar.

Hetuesit sekuestruan gjithashtu pjesë të tjera të mjetit, prova digjitale dhe një kaskë të gjetur në një automjet, e cila dyshohet se i përkiste personit që drejtonte motorin gjatë atentatit.

Nga analizimi i pamjeve të kamerave dhe provave të mbledhura, autoritetet kanë identifikuar shqiptarin 48-vjeçar si drejtuesin e dyshuar të motorit.

Viktima, me precedentë dhe lidhje me botën e krimit

Mediat greke kanë zbardhur edhe të kaluarën e 52-vjeçarit, i cili dyshohet se kishte lidhje me grupin kriminal të Giorgos Moschouris, i njohur me nofkën “Thamnakias”.

Moschouris u vra në prill të vitit 2025 në Chalandri, jashtë një klinike private, në një atentat që sipas raportimeve lidhej me përplasjet mes grupeve kriminale.

Edhe viktima e Glyfadas ishte arrestuar në vitin 2015, si pjesë e grupit të Moschouris. Ai kishte qenë gjithashtu i përfshirë në disa episode të dhunshme me armë zjarri.

Në vitin 2018, në stadiumin OAKA, dyshohet se kishte qëlluar dhe plagosur një tifoz tjetër të Panathinaikosit. Katër vite më vonë, ishte përfshirë në një tjetër incident me armë pranë zyrave të tifozëve të së njëjtës skuadër, në bulevardin Aleksandras, ku një person tjetër mbeti i plagosur.

Ndërkohë, në vitin 2024 ishte arrestuar për dhunë në familje, por ishte lënë i lirë me masa kufizuese.

Hetimet për ekzekutimin në Glyfada vijojnë, ndërsa policia greke po punon për arrestimin e shqiptarit të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personit që dyshohet se ka qëlluar mbi 52-vjeçarin.