Oerd Bylykbashi dorëhiqet nga drejtimi politik i PD-së në Durrës: Ia kam dorëzuar dorëheqjen Berishës një javë më parë
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra e drejtuesit politik të PD-së në qarkun e Durrësit. Lajmin e bëri të ditur gjatë fjalës së tij në aktivitetin “Foltorja e Ripërtëritjes”, ku deklaroi se dorëheqjen ia kishte paraqitur kryetarit të partisë, Sali Berisha, rreth një javë më parë.
“Kjo është hera e fundit që ju flas si drejtues politik i qarkut të Durrësit. Kam dorëzuar detyrën rreth një javë më parë kryetarit të partisë, sepse mendoj se vetëm në këtë formë mund ta çojmë përpara përtëritjen dhe shumëfishimin e forcave tona”, u shpreh Bylykbashi.
Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat u ndal edhe te sfidat me të cilat është përballur PD-ja në Durrës, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të fundit. Ai pretendoi se demokratët nuk kanë bërë kompromis me grupet kriminale, pavarësisht presioneve dhe ofertave që, sipas tij, janë bërë gjatë fushatës.
“Kemi vetëm një rrugë, rruga jonë kalon përmes moralit dhe parimeve. Në 19 vite kam marrë leksione të jashtëzakonshme nga Berisha; një ndër ta ishte: ‘Qëndro i palëkundur në parime!’. Me këtë jemi përballur gjithë këto vite. Edhe kur oferta dhe presioni kanë qenë të jashtëzakonshme në këtë kryeqytet, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit në bashkinë e dytë më të madhe në vend, ne nuk bëmë kompromis dhe dhamë rezultatin që doli. Me këtë devizë ne do të fitojmë zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Bylykbashi.m.k





