Kush e vrau Sel Çamin? Hoxha: Pas autorëve qendron një person shumë i fuqishëm me lidhje politike, në atentat është përdorur edhe dron
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka folur në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, të Ylli Rakipit, për atentatin e ndodhur në Fier, ku mbeti i vrarë Selami Hasani, i njohur si Sel Çami, si dhe nipi i tij, i cili ndërroi jetë në spital.
Hoxha tha se në Fier zakonisht nuk kryhen vrasje, pasi krimi i organizuar i zgjidh konfliktet me qetësi dhe përmes marrëveshjeve.
Ai tha se në këtë ngjarje mund të jetë i përfshirë një personazh shumë i fuqishëm i krimit, me lidhje të forta politike.
Sipas Hoxhës, autorët kanë përdorur edhe një dron në zonë, për të kontrolluar të gjitha lëvizjet e viktimës.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Kush është Selami Hasani, pse ishte në hasmëri me Ben Qimen?
Hoxha: Personat që kanë organizuar këtë ngjarje tregojnë se kanë kosto. Çfarë armësh kanë përdorur, logjistika dhe vrasësit. Sa më të sofistikuar të jenë këta, aq më e sofistikuar është ngjarja. Kjo ngjarje nuk ka për t’u zbuluar.
Rakipi: Kjo është vrasje bandash?
Hoxha: Fieri mbahet si qyteti më i organizuar i krimit dhe e sheh krimin si biznes. Në Fier, gjëja e parë që shihet si zgjidhje është që gjërat të zgjidhen me marrëveshje, duke e mbajtur shtetin larg. Por kohët e fundit, për shkak të lidhjeve me shtetin, është fuqizuar njëri shumë atje.
Para kësaj është vrarë Demir Backa. Ngjarja tjetër është ajo e Selami Çamit, një personazh i viteve ’90. Ai e ka kaluar pjesën tjetër të jetës ose në arrati, ose në burg. Sapo ka dalë nga burgu, ka qëndruar në shtëpi, bashkë me nipat. Ai as nuk është martuar, as nuk ka fëmijë. Ka një motër, e cila edhe ajo lëviz e armatosur.
Si është e mundur që në këtë lagje, ku jo kushdo mund të hyjë, gjithçka të jetë e monitoruar gjatë gjithë kohës? Ajo që bën çudi është se ata e kanë ditur që ai kishte dalë nga burgu. Ai ka qenë atje bashkë me tre nipat e tij, por autorët kanë qëlluar edhe dy të tjerët.
Ky që ka vënë në lëvizje këtë situatë në Fier e ka bërë për t’i hequr qafe. Faktet tregojnë se autorët kanë përdorur dron, pasi Selami Çami e dinte çfarë e priste dhe ai përbënte vërtet rrezik për këta.
Policia shkoi te njerëzit e Ben Qimes. Politikani që e denoncoi Ben Qimen ishte Petro Koçi, por prej asaj kohe nuk foli më. Ben Qimja ka mbështetje të fortë.
Rakipi: Ku është Arben Isufi?
Hoxha: Në kërkim. Tani është biznesmen. Është shumë i fuqishëm në Fier. Në Fier gjërat zgjidhen, jo me armë. Fieri ka një gjë tjetër: SPAK-u nuk është futur në Fier. I vijnë vërdallë, por brenda në Fier nuk hyn. Pse nuk hyn, e dinë ata.
Demalia: Po pse, s’ka prokurori, s’ka polici?
Hoxha: Ore, nuk hyjnë. Ata të Fierit s’bëjnë gjë, por as këta të Tiranës. Unë shpresoj që SPAK-u të ngrejë një task-forcë dhe të hyjë njëherë atje. S’mund ta lërë të dalë jashtë kontrollit. Fieri është qarku i dytë. Ka 12 mandate mazhoranca sot atje, nga 16 gjithsej.
Këto lloj ngjarjesh, me këtë lloj agresiviteti… Atje nuk kanë vrarë vetëm Selamin, por edhe nipin. Atë që vranë dje kanë dashur ta vrasin disa herë edhe në burg. Dje autorët kanë dërguar dronin.
Rakipi: Dronin e përdor Putini atje, e përdorin edhe këta.
Hoxha: Fieri është universitet i krimit të organizuar. Në Fier shkojnë me makina luksoze, me armë me silenciator.




