Pa praninë e mediave, Trump dekoron Rudy Giulianin në Zyrën Ovale Avokatët e Christa Pike, 50-vjeçares që i mbijetoi një ekzekutimi të dështuar në shtetin e Tennessee-s, kanë kërkuar ndërhyrjen urgjente të gjykatës për t’i mundësuar asaj një vlerësim të specializuar psikologjik, dy muaj pas procedurës që për pak i mori jetën.
Sipas një kërkese të paraqitur të hënën në një gjykatë në Nashville, ekipi ligjor i Pike kërkon që gjykata të urdhërojë Departamentin e Korrektimeve të Tennessee-s të lejojë dy ekspertë të pavarur të shëndetit mendor ta ekzaminojnë atë, pa praninë e përfaqësuesve të institucionit.
Bëhet fjalë për dy psikologë klinikë, njëri i specializuar në traumat komplekse dhe tjetri në torturë dhe trauma. Në dokumentin ligjor, avokati i saj thekson se përmasat e plota të dëmtimeve që ajo ka pësuar gjatë ekzekutimit të dështuar “mbeten ende të panjohura”.
Megjithatë, Departamenti i Korrektimeve kundërshton kërkesën. Në një email të përfshirë në dosjen gjyqësore, një përfaqësues ligjor i institucionit argumenton se vizitat e propozuara “do të përbënin trajtim të vazhdueshëm, gjë që, siç është thënë më parë, është e ndaluar”.
Në të njëjtin komunikim thuhet se Departamenti i Korrektimeve është përgjegjës për administrimin e përgjithshëm të shërbimeve të shëndetit mendor për të burgosurit që ndodhen në kujdesin e tij.
Avokatët e Pike kanë kërkuar zhvillimin e një seance urgjente gjyqësore për shqyrtimin e çështjes.
Christa Pike u shtrua në spital pasi i mbijetoi dy dozave të pentobarbitalit, substancë që përdoret në procedurat e ekzekutimit me injeksion vdekjeprurës. Ekzekutimi ishte planifikuar të zhvillohej më 30 shtator, për vrasjen e vitit 1995 të bashkëmoshatares së saj, Colleen Slemmer, e cila ishte rrahur dhe goditur me thikë.
Pas procedurës së dështuar, gjendja e Pike ishte kritike. Ajo u vendos në aparaturë për frymëmarrje artificiale dhe avokatët e saj nuk prisnin që ajo të mbijetonte. Megjithatë, 50-vjeçarja arriti të zgjohej dhe më vonë nisi të fliste dhe të ecte me ndihmën e të tjerëve.
Duke folur për gjendjen e saj muajin e kaluar, Pike përshkroi pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që po përjeton.
“Dhimbja nuk është vetëm fizike. Ka dhimbje në mendjen time dhe në shpirtin tim. Po rikuperohem dhe e di se po bëhem më e fortë. Por shërimi nuk është e njëjta gjë si të jesh mirë”, tha Pike.
Pas dështimit të procedurës, guvernatori republikan i Tennessee-s, Bill Lee, urdhëroi nisjen e një hetimi për të zbuluar se çfarë shkoi keq në dhomën e ekzekutimit. Ai gjithashtu pezulloi pa një afat të caktuar një tjetër ekzekutim që ishte planifikuar të zhvillohej gjatë këtij viti.
Megjithatë, muajin e kaluar Lee deklaroi se nuk ishte i prirur të ndërhynte për t’ia zbutur dënimin Christa Pike-s dhe për të hequr mundësinë e ekzekutimit të saj.
“Ajo vazhdon të jetë e burgosur sipas ligjeve të shtetit të Tennessee-s”, tha guvernatori, sipas televizionit WSMV, bashkëpunëtor i CNN.
“Unë dyshoj se dënimi i saj do të mbetet i njëjtë si më parë, përveç rastit kur gjykatat vendosin ndryshe”, shtoi ai.
Ndërkohë, beteja ligjore për të drejtën e Pike-s për t’u ekzaminuar nga ekspertë të pavarur pritet të vijojë në gjykatë, ndërsa mbeten të paqarta pasojat afatgjata të ekzekutimit të dështuar në shëndetin e saj fizik dhe mendor.
Top Channel