Autoritetet franceze kanë vendosur të martën që çështja të dërgohet në gjykim, ndërsa seanca e parë paraprake është caktuar për 1 prill 2027.

Hetimet kishin të bënin me tërheqjen e dëshmisë së biznesmenit franko-libanez, Ziad Takieddine, i cili kishte pretenduar se ish-lideri libian, Muammar Gaddafi, kishte financuar me miliona euro në para të gatshme fushatën presidenciale të Sarkozyt në vitin 2007.

Takieddine, i cili e kishte cilësuar veten si “ndërmjetës në hije”, e kishte tërhequr dëshminë e tij në vitin 2020. Ai ndërkohë ka ndërruar jetë.

Sipas Prokurorisë Financiare të Francës, Sarkozy dhe Bruni akuzohen për pranimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, ndikim te dëshmitarët dhe pjesëmarrje në organizim kriminal.

Avokatët e Sarkozyt dhe Brunit nuk kanë reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment.

Sarkozy ishte dënuar vitin e kaluar në një rast të ndërlidhur, për organizim kriminal lidhur me përpjekjet për të siguruar financim të fushatës nga Libia. Ai ishte dënuar me pesë vjet burgim, duke u bërë presidenti i parë francez i pasluftës që përfundoi në burg.

Megjithatë, tri javë pas fillimit të vuajtjes së dënimit, gjykata kishte vendosur lirimin e tij nën mbikëqyrje gjyqësore, me kushtin që të mos largohej nga Franca. Sarkozy ka apeluar vendimin.

Ish-presidenti francez ka mohuar vazhdimisht akuzat, të cilat fillimisht ishin ngritur nga njëri prej djemve të Gaddafit.

Sarkozy e kishte pritur Gaddafin në Paris, pesë muaj pas zgjedhjes së tij president në vitin 2007. Lideri libian kishte vendosur një tendë të stilit beduin pranë Pallatit Élysée.

Megjithatë, Sarkozy më vonë u bë një nga mbështetësit kryesorë të ndërhyrjes së NATO-s kundër Gaddafit, e cila çoi në rrëzimin e tij nga pushteti dhe vrasjen nga rebelët në vitin 2011.

Sarkozy është dënuar edhe në raste të tjera, për korrupsion, ushtrim të ndikimit dhe financim të paligjshëm të fushatës së tij të pasuksesshme për rizgjedhje në vitin 2012.