Një grup kriminal i përbërë nga tre shtetas shqiptarë është shkatërruar nga Garda Civile spanjolle, nën dyshimin për kryerjen e 17 grabitjeve në banesa në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña të rajonit të Galicisë.

Sipas gazetës spanjolle La Region, tre të dyshuarit, të identifikuar si R.D, E.N dhe F.P, janë arrestuar më 18 nëntor në Vila de Cruces, në provincën e Pontevedrës, dhe tashmë ndodhen në burg.


Grupi kriminal ishte i specializuar në grabitje të shpejta, duke arritur të përfundonte një bastisje në një banesë për vetëm 10 minuta.

Anëtarët e tij përzgjidhnin kryesisht shtëpi dhe vila ku paraprakisht siguroheshin se nuk kishte banorë brenda, ndërsa vepronin me mjete të sofistikuara për të hyrë në banesa dhe për të vlerësuar menjëherë sendet me vlerë.

Hetimi, i koduar “Ziralla”, nisi më 30 tetor, pasi në provincën Ourense u regjistruan disa grabitje. Gjatë hetimeve, autoritetet identifikuan gjashtë raste në këtë provincë, në zonat A Merca, Allariz, Vilanova dos Infantes, Barbadás, Coles dhe Vilamarín.

Në total, grupit i atribuohen 17 grabitje në tri provincat e Galicisë, transmeton Telegrafi.

Pas grabitjeve, të dyshuarit largoheshin nga zona dhe fshiheshin në një tendë të vendosur në një zonë të izoluar malore në Pontevedra, ku kalonin natën për t'iu shmangur policisë.

Ata lëviznin me një automjet me fuqi mbi 350 kuaj fuqi dhe përdornin targa të ndryshuara për të vështirësuar identifikimin.

Në dy raste, arritën t'u shpëtonin forcave të rendit, ndërsa gjatë arrestimit automjeti i tyre goditi makinat e Gardës Civile, duke dëmtuar dy prej tyre.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi bizhuteri, më shumë se 5.000 euro para të gatshme, mjete të përdorura për hapjen me forcë të banesave, si dhe pajisje kimike për verifikimin e pastërtisë së arit dhe diamanteve.

Autoritetet theksuan se të dyshuarit shmangnin kontaktin me banorët dhe largoheshin menjëherë nëse konstatonin praninë e dikujt brenda banesës./Telegrafi/